Receta tradicionale e ballokumeve të Elbasanit, ja si t’i gatuani ato

Shkruar nga: F Tenolli | Publikuar më: 14.03.2017, 11:19

Sot është Dita e Verës, një festë e cila i ka fillesat në qytetin e Elbasanit dhe më pas u përhap shumë shpejt si një festë në mbarë Shqipërinë. Kur mendojmë për festën e Ditës së Verës menjëherë na shkon në mendje ballokumet, të cilat janë edhe simboli i festës. Tradita e të gatuari të ballokumes është ruajtur në shumë breza në qytetin e Elbasanit.

Për të gatuar ballokumet tradicionale këshillohen të përdoren produkte cilësore dhe të freskëta fshati. Receta e ballokumeve tradicionale është si më poshtë:

Përbërësit:

1kg miell misri

500gr gjalpë i freskët

8 kokrra vezë

Pak finjë zjarri

500gr sheqer

Përgatitja: Të gjithë përbërësit përzgjidhen në kushte natyrale. Gjalpi i freskët tretet dhe vendoset në enën e ballokumes. Mbi gjalpë hidhet pak e nga pak sheqer dhe të dyja rrihen gjatë nga një lugë druri. Më pas hidhen vezët një e nga një ndërkohë që rrahja me lugë vazhdon. Pastaj e ka radhën hedhja e miellit të misrit. Mielli i misrit hidhet me ngadalë dhe përzihet vazhdimisht me lugën e drunjtë. Në masën e formuar hidhet pak finjë zjarri. Rrahja duhet të bëhet me dorë. Brumi i formuar nga kjo përzierje merret me lugë druri dhe vendoset në topa në tepsi dhe futet në furrë. Piqet dhe shërbehet në formën e kulaçeve.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit