E palëkundur dhe e pushtetshme, kjo është femra jonë më e fuqishme

Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 20.12.2017, 11:19

1

Nga: MARIN MEMA

Sigurisht që kombi shqiptar mbart jo vetëm figura të mëdha historike mashkullore që kanë lënë gjurmë të thella, por padyshim historia e tij është shënjuar ndër të tjera edhe nga arritjet e një gruaje unikale si Mbretëresha Teuta.

Nuk është gabim po ta cilësojmë Teutën si më e fuqishmja edhe mbi më të fuqishmit, kjo, nëse analizojmë aftësitë e saj drejtuese në krye të Ilirisë.

Për fat të mirë, faktet që na përcillen lidhur me figurën e saj, na ndihmojnë për të kuptuar edhe disa detaje lidhur me statusin e gruas në Iliri, ku më kryesorja që duhet patur në vëmendje është pikërisht të pasurit e lirisë, e cila pasqyrohet deri në barazinë mes dy gjinive në tryezë. Gruaja ilire gëzonte të drejta të plota, kishte pushtet dhe si e tillë arrinte deri në maja, siç ndodhi me Teutën.

2

Mbretëresha Teuta u kthye brenda pak kohësh në një faktor rajonal duke drejtuar pushtetin në Iliri, pas vdekjes së të shoqit Agronit në vitin 230 para Krishtit. Studiuesit e konsiderojnë një drejtuese të aftë e të ashpër, e cila siç thekson profesor Moikom Zeqo u kthye jo thjesht në simbolin e pushtetit, por edhe projektuese e diplomacisë, luftës, sulmit dhe mbrojtjes.

Teuta, e cila mori famë shumë kohë më parë se në skenë të shfaqej Kleopatra e Egjiptit, arriti të krijojë jehonën e një prijëse të forte dhe të ditur. Ajo mundi të nënshtronte Foiniken, rrethoi kolonitë greke në Ilirinë e jugut, shtriu mbretërinë e saj deri në gjirin e Ambrakisë e nga krahu tjetër nuk u tërhoq ballë sulmeve ndaj romakëve.

Pavarësisht faktit se ishte grua, ç’ka e bënte mjaft të paragjykuar për kohën nga popujt e tjerë, Teuta kishte një vizion ushtarak të jashtëzakonshëm. Ajo ngriti një sistem komunikimi deri në pikat më të largëta. Edhe Polibit, historianit grek të cilit Teuta nuk i pëlqente dhe e cilësonte si dritëshkurtër, i shpëtoi fakti se ajo komunikonte me ushtritë e saj edhe me letra të shkruara. Kjo ishte pikërisht një dëshmi që flet për formën e zhvilluar strukturore që kishte shteti i drejtuar prej saj.

3

Kjo pra ishte Teuta, që siç e cilëson arkeologu Neritan Ceka, përqafonte një filozofi jete krejt të pazakontë apo që binte në kundërshti të plotë me gruan në Greqi, e cila më së shumti mbyllej brenda. E jo vetëm kaq, por sipas arkeologut të njohur francez Pierre Cabanes, në Athinë në të njëjtën periudhë gruaja jetonte vetëm nën tutelën e burrit apo babait të saj, pra të mashkullit.

Ndonëse sot mbretëresha e madhe Teuta, përfaqësuesja më tipike e gruas ilire kujtohet shumë pak, ajo në fakt duhet të ishte simbol për t’i dhënë një leksion emancipimi botës europiane aq paragjykuese ndaj shqiptarëve.

Mbani mend pra, se ndërsa në Iliri qëndronte në krye një grua, popujt e tjerë fqinjë gruan e konsideronin inferiore. Kjo është një vlerë që nuk duhet fshehur, e aq më pak lënë mënjanë! /JOQ.al/

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit