Marash Kumbulla është padyshim futbollisti i momentit në Serinë A. Mbrojtësi i kombëtares shqiptare ishte lojtari më i mirë mbrëmjen e djeshme, në ndeshjen ku Verona mposhti me rezultatin 2-1 Juventusin.
20-vjeçari tregoi një paraqitje të shkëlqyer, duke ndalur Ronaldon, por edhe sulmuesit e tjetër të Juventusit. Gjithashtu ai shënoi edhe një gol, por iu anulua për pozicion jashtë loje.
Sipas asaj që shkruan “Tuttosport”, dje nga afër Kumbullën e kanë ndjekur skautë të 4 klubeve të mëdha. Behët fjalë për Mançester Siti, Junajtid, Dortmund dhe Aintraht Frankfurt.
Të gjitha këto skuadra e pëlqejnë shumë futbollistin shqiptar dhe pritet të nisin sulmin e tyre për ta marrë atë. Nuk janë vetëm këto 4 ekipe që interesohen për Kumbullën, pasi edhe Interi, Napoli dhe Fiorentina e ndjekin prej kohësh shqiptarin.