Një prej biznesmeneve që ka përfituar më shumë para nga buxheti i shtetit, që kur “Rilindja” ka ardhur në pushtet është padyshim Vilma Nushi. E cila ka fituar edhe koncesionin e famshëm të Check Up-it. Por përveç se ka fituar tendera me kompaninë e saj, Nushi është bërë ogur i mirë edhe për kompanitë e fisit të saj.
Një prej këtyre kompanive është edhe “INTERLOGISTIC”, që ka si aksioner kryesor Edmond Hidon, i cili është bashkëshorti i Majlinda Hidos që është motra e Vilma Nushit.
Kjo kompani fituar një tender të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike me objekt “ Blerje kancelari dhe shtypshkrime për nevojat e shoqërisë”. Fondi i këtij tenderi është plot 1.2 miliard lekë dhe do të ketë një afat kohor ekzukutimi prej 24 muajsh.
SHIKO TENDERIN:
BLERJE KANCELARI DHE SHTYPSHKRIME PËR NEVOJAT E SHOQERISË OSHEE SH.A
Me këtë tender, kompania e Hidos ka bërë një “kosh” të madh, pasi ky është tenderi me shifrën me të madhe e fituar ndonjëherë nga kjo kompani.
Sipas të dhënave të Thesarit, për 4 vitet e fundit “Interlogistic”, ka përfituar nga buxheti i shtetit 480 milionë lekë. Ndërsa tani vetëm me një tender do të fitojë dyfishin e atyre që ka fituar për 4 vite.
Kjo kompani deri në vitin 2016 kishte si aksionere kryesore, Majlinda Hidon që është motra e Vilma Nushit. Mirëpo ajo që tingëllon si e çuditshme është fakti, se Maljinda Hido ia ka shitur të gjitha aksionet, burrit të saj Edmond Hidos.
Ndërsa djali i këtij çiftit Hido është aksioner kryesor në kompaninë “ Trimed”, e cila është një nga kompanitë që ka marrë më shumë tendera në sistemin e Shëndetësisë, ndërsa tenderi i fundit i fituar nga kjo kompani ishte ai i dhënë nga Spitali i Traumës me objekt “Furnizim me pajisje mjekimi (materiale konsumi) për shërbimin e Ortopedisë në SUT”, me një shifër rreth 160 milion lekësh.