Familjarët e kryetarëve të bashkive apo të deputetëve janë ndër personat që përfitojnë më shumë tendera nëpër institucione të ndryshme shtetërore.
Një prej tyre është edhe Shkëlqim Kapllanaj vëllai i ish-kryebashkiakut demokrat të Mallakastrës, Agron Kapllanaj. Edhe pse është vëllai i një eksponenti të djathtë, kjo gjë nuk e ka penguar aspak kompaninë “Shkëlqimi 07” që të marrë tendera në bashkitë që qeverisen nga socialistët.
Tenderi i fundit i fituar nga kjo kompani është në Bashkinë e Durrësit për “Rehabilitimin e vend depozitimit të mbetjeve në Vadardhë”. Shuma që do përfitojë nga këto punime do të jetë 25 milionë lekë.
Edhe pse tenderi nuk ka ndonjë shifër të lartë nga ato çfarë jemi mësuar të shohim, për fitimin e tij kanë garuar plot 13 kompani.
Mirëpo kjo kompani rezulton se gjatë këtyre viteve ka fituar edhe tendera të tjerë në bashkitë e vendit. Plot 47 tendera ka fituar gjatë këtyre 4 viteve, kompania e vëllait të ish-kryebashkiakut demokrat.
Ndërsa sipas Thesarit të Shtetit, kjo kompani gjatë viteve 2015-2019 ka përfituar nga buxheti i shtetit plot 16 miliardë lekë.
Nëse kompanitë e tjera që kanë fituar më shumë tendera kanë përfituar sepse kanë qenë miq ose kanë pasur lidhje të ngushtë me kryeministrin Edi Rama, mesa duket “ Shkëlqimi 07”, e ka ndihmuar fakti që ka qenë vëllai i Agron Kapllanajt.
Kjo gjë vërteton edhe njëherë faktin se PS dhe PD zihen vetëm për sy të publikut, por e kundërta ndodh në dhënien e tenderave.