Ministria e Shëndetësisë njoftoi sot numrin e rasteve të reja nga koronavirusi në Shqipëri. U raportua se gjatë 24 orëve të fundit janë regjistruar 20 raste të reja.
Mësohet se tre të infektuar janë kryeinfermierë të spitalit Infektiv.
Kjo e rrit edhe më shumë numrin e të prekurve të personelit mjekësor.
Gjithashtu pak më parë u mësua se shefi i Laboratorit te Mikrobiologjisë në QSUT, Andi Koraqi është prekur nga COVID-19.
Deri tani numri i mjekëve të infektuar që janë edhe pjesë e task forcës së Ministrisë së Shëndetësisë ka shkuar në tre.
Më herët janë infektuar edhe Mirela Cami, Drejtoresha e Shërbimeve të Kujdesit Shëndetësor dhe Skënder Brataj Drejtor i Urgjencës Kombëtare.