RTSH, apo ndryshe Radio Televizioni Shqiptar, ndoshta është i vetmi institucion i cili nuk kuptohet se për çfarë ekziston dhe gjithashtu për rrjedhojë edhe për çfarë i merr paratë e taksapaguesëve shqiptarë. Ndonëse emri i tij është mjaft i madh dhe dikur ka patur një shkëlqim gjithashtu tepër të madh, për fat të keq politika e ka degjeneruar duke e shndërruar në një krijesë që thjesht ekziston dhe "ha" para, pa shërbyer për asgjë për komunitetin.
Këtë e përforëcon edhe fakti që gati askush në Shqipëri nuk e shikon këtë kanal pothuajse kurrë. E duke qenë kështu, disi në hije, ndoshta është edhe mjaft e lehtë "të gllabërojë" fonde. Deri diku është e kuptueshme, por që të “kullufitësh” gati 400 milionë lekë të vjetra nga taksat e shqiptarëve në një tender të vetëm, është absurde.
Por me siguri Thoma Gëllçi, drejtori i përgjithshëm i këtij institucioni, ka menduar të ndjekë modelin e çunave të tjerë të Rilindjes siç është përshembull Laert Duraj i Postës Shqiptare. Kështu, nëpërmjet një tenderi me numër reference REF-56384-17-04-2020, Thomai i ka dhënë plot 385 milionë lekë të vjetra me TVSH shoqërisë “S&T Albania” shpk me administrator Kleanthi Prifti.
Gara duket qartësisht e manipuluar, pasi në tender kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, nga të cilat kompania humbëse nuk ka paraqitur fare ofertë ekonomike. Në këtë mënyrë rruga ka qenë e hapur për firmën “S&T Albania” shpk që të "gllabëronte" shifrën e majme prej gati 400 milionë lekë të vjetra. Rezulton se kjo kompani ka si pronare kompaninë e huaj S&T AG.
Nuk kuptohet qartë se si është e mundur që një shifër e tillë kaq e lartë të paguhet nga taksat e shqiptarëve për një televizion që përveç emrit të dikurshëm, tashmë nuk i shërben më askujt. Na falni se u nxituam kur thamë askujt, në fakt i shërben dikujt, vetë Thoma Gëllçit që të mbushë akoma më tepër xhepat e tij. Hallall plako!