Laert Duraj është një personazh i cili gjithmonë e më tepër del nëpër kronika mediatike si i përfshirë në afera tenderash të dyshimtë, në emër të institucionit që ai drejton, Posta Shqiptare. Janë të shumta rastet të denoncuara nga JOQ Albania kur tenderat e organizuar nga Laerti, çuditërisht përfundonin tek fitues që garonin të vetëm.
I tillë është edhe rasti më i ri që po ju paraqesim sot. Posta Shqiptare ka organizuar një tender me objekt “Mirëmbajtja E-Posta për 4 vite”. Teorikisht në dokumenta shkruhet se tenderi është realizuar me procedure ”Të hapur” me mjete elektronike, por në fakt rezulton se ka garuar vetëm një kompani dhe natyrisht ka fituar. Pra siç vetëkuptohet, kjo kompani ka konkurruar “me vetveten”. Ku ka më bukur apo jo?
Bëhet fjalë për kompaninë “Helius Systems” sh.p.k. me administrator Alkid Ademi dhe pronarë Gjergji Mulla dhe Alkid Ademi. Nga dokumentat e tenderit rezulton se kjo kompani ka ofruar vlerën 20,000,000 lekë të reja pa TVSH, po aq sa edhe fondi limit. Kështu kjo kompani do të fusë në xhep rreth 240 milionë lekë të vjetra me TVSH për mirëmbajtjen e një sitemi të quajtur E-Posta.
Mirëpo nëse hulumtojmë të dhënat teknike të këtij tenderi vërejmë që njëra nga pikat e kërkesave është se mirëmbajtja e moduleve të sistemit e-Posta Web/mobile duhet të bëhet e tillë në mënyrë që të funksionojë me sistemin Core (Eterna). Por gjejeni pak se cila kompani ka fituar edhe tenderin për mirëmbajtjen e sistemit “ETERNA”? Po e njëjta që ka fituar edhe tenderin në fjalë. Pra qartësisht fituesi është paracaktuar prej kohësh duke qenë se duhet të ofrojë një shërbim që duhet të ketë lidhje patjetër me një shërbim tjetër të ofruar po nga e njëjta kompani. Me t’pas lezet shpirti dhe xhepi, apo jo? Bravo Laert!