Vetëm ditën e djeshme ju informuam për një tender me vlerë rreth 5,1 milionë euro të fituar nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “GENER 2” në ponësi të Bashkim Ulaj dhe “4-AM” shpk në pronësi “me letra” të Ardit Metaliaj-t por që sipas dyshimeve të forta mendohet se edhe pas kësaj kompanie qëndron përsëri Bashkim Ulaj.
Me sa duket këto qenkan ditët fitimprurëse, pasi rezulton se firma “4-AM” sapo ka fituar e vetme një tender tjetër me vlerë akoma më të lartë se i djeshmi. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-59423-05-29-2020. Ky tender është organizuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe ka për objekt ‘‘Ndertim Rruga Porto Romano Durres, Loti 3’’ me fondin limit 669.384.858,33 Lekë (pa përfshirë vlerën e TVSH-së).
Afati i kontratës është 12 muaj. Rezulton se në garë kanë marrë pjesë 6 kompani, nga të cilat është shpallur fituese kompania “4-AM” në pronësi të shtetasit Ardit Metaliaj. Kjo kompani e cila u shpall edhe fituese, ka ofruar vlerën prej 642.570.762 lekë pa TVSH ose rreth 6,2 milionë euro me gjithë TVSH. Nëse krahasojmë këtë vlerë të ofruar nga kompania fituese me fondin limit të tenderit, rezulton se është sa 95.99% e fondit limit.
Nga ana tjetër rezulton se njëra nga kompanitë pjesëmarrëse ka ofruar një vlerë shumë më të ulët, përkatësisht 456.106.620 lekë të reja pa TVSH. Me një llogaritje të thjeshtë shikohet se diferenca mes kësaj firme dhe fituesit është jo pak por 186,464,142 lekë të reja pa TVSH. Nëse i shtojmë edhe vlerën e TVSH-së, diferenca mes kësaj kompanie dhe fituesit “4-AM” është gati 1,8 milionë euro!
Pra në rastin më të mirë, kompania fituese do të “gllabërojë” në xhepat e saj pikërisht 1,8 milionë euro nga taksat tona. Sigurisht kompania që ofroi këtë vlerë më të ulët u skualifikua për mungesë dokumentacioni. Epo, i hëngshi gëzuar miliona eurot çuna!