Përsëri AKEP. Ashtu si “simotrat” e tjera që varen nga shteti, edhe ky institucion nuk ngelet pas “shokëve e shoqeve” përsa i përket organizimit të tenderave të dyshimtë. AKEP apo Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare është organi rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, i cili mbikqyr kuadrin rregullator të përcaktuar nga ligji për komunikimet elektronike, nga ligji për shërbimin postar dhe nga politikat e zhvillimit, të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave. AKEP është person juridik, publik, jobuxhetor, i cili drejtohet nga Këshilli Drejtues që aktualisht kryesohet nga Tomi Frashëri.
Ky i fundit njihet si bashkëpunëtor i afërt i Ramës, pasi nga viti 2014 deri në 2019 ka qenë pjesë e kabinitetit të tij në Kryeministri. E me sa duket, Tomi hyn në njerëzit që dinë “të bëjnë mirë punën e tenderave”. Këtë e ilustron edhe njëri ndër tenderat e fundit e dhëna nga institucioni i drejtuar prej tij. Konkretisht bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-66819-07-27-2020 dhe me objekt “Suport i sistemit te menaxhimit te CCTld.al/Licenca Vjetore per paisjet e platformes DNS”.
Përgjithësisht ata që merren me informatikë, e dinë mjaft mirë që tenderat e për mirëmbajtje dhe suport janë ata në të cilët ka më tepër mundësi abuzimi. Konkretisht tenderi në fjalë rezulton i dyshimtë për vetë faksin se vlera e ofruar nga kompania fituese është e barabartë me 96,76% të fondit limit. Pra fituesi ka ofruar një vlerë thuajse të barabartë me fondin limit. Ky fakt hedh dyshime në lidhje me egzistencën e një gare të mirëfilltë, pikërisht për shkak të kësaj diference mjaft të ngushtë nga vlera e ofruar kundrejt limitit të tenderit. E thënë më thjesht, ka shumë mundësi që një pjesë e këtyre milionave të përfundojnë nëpër xhepat e organizatorëve.
Por cili është fituesi? Rezulton se fitues është shpallur INFOSOFT SYSTEMS e Grigor Jotit, me vlerë të ofruar 11,147,400 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 134 milionë lekë të vjetra me TVSH. Në 6 vitet e fundit, Grigor Joti ka përfituar nga shteti tendera në një vlerë rreth 60 milionë euro vetëm nga “INFOSOFT SYSTEMS”, pa përmendur kompanitë e tjera të këtij grupi. E me sa duket, Tomi Frashëri i AKEP, po kontribuon përsëri në shtimin e milionave. Jepi Tomi!