Kristiano Ronaldo u testua pozitiv me COVID-19 ditën e djeshme, teksa nisi menjëherë izolimin në Portugali. Megjithatë, situata ka ndryshuar dhe ylli portugez vendosi të rikthehej sot papritur në Itali, për t’u karantinuar në shtëpinë e tij në Torino. Mediat italiane raportojnë se në 14:35 avioni i Ronaldos është nisur në fluturim për në Itali. Duke qenë se portugezi është i prekur me koronavirus, rregullat e fluturimit të tij drejt Torinos kanë qenë shumë të rrepta, teksa ylli portugez është transportuar deri në afërsi të avionit privat me ambulancë.
Kujtojmë që Komiteti Teknik Shkencor i Italisë ka ulur së fundmi periudhën e karantinës nga 14 në dhjetë ditë. CR7 do të humbasë 2 ndeshjet e ardhshme të Juventusit kundër Krotones dhe Dinamos së Kievit, teksa rrezikon mos të jetë prezent edhe ndaj Veronës, nëse tamponi pas periudhës së karantinës nuk do të jetë negativ. Gjithsesi lufta e tij është të arrijë të shërohet para datës 21 tetor për të qenë prezent në ndeshjen ndaj Barcelonës së Leo Mesit, sfida e parë mes tyre që nga largimi i luzitanit nga Real Madrid në vitin 2018.