Jepi Tomi! Bjeri fort! Me top vëlla, se s’ka mundësi. Është e pabesueshme, por plotësisht e vërtetë. Ajo që do të lexoni më poshtë nuk është ndonjë trillim nga ndonjë film horror përsa i përket shpërdorimit të parave. Jo, aspak. Është plotësisht e vërtetë, madje për të vënë duart në kokë e për të ulëritur me të madhe.
Ore a janë në terezi këta njerëz? E dini se çfarë ka ndodhur? Tomi Frashëri, kryetari i Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, AKEP, ka hapur një tender me fond limit rreth 214 milionë lekë të vjetra me TVSH, për konsulencë. Dhe jo konsulencë për të shkuar në Mars, por konsulencë pë rnjë punë që në fakt duhet ta bëjë vetë ai dhe institucioni që drejton!
Më konkretisht bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me numër reference REF-75817-10-16-2020. Objekti i tenderit është “Shërbim konsulence për dhënien në përdorim të brezave të lirë të frekuencave duke përfshirë dhe kombinimet midis tyre”. Pra imagjinoni, një institucion si AKEP, që ka për detyrë të merret pikërisht me frekuencat dhe të rregullojë komunikimet elektronike, hap tender që dikush tjetër të bëjë atë punë që ky institucion duhet ta bëjë normalisht vetë.
Pra dy gjëra ka, ose stafi i Tomit të AKEPIT është tërësisht i paaftë dhe detyrohet të harxhojë një mal me para që dikush tjetër të bëjë punën për të cilën paguhet, ose është thjesht një mënyrë për të mbushur plot xhepat e dikujt. E pra, që të mësojmë se cili do të jetë fatlumi që do të “kullufisë” 214 milionët që Tomi ka vënë në dispozicion, duhet të presim edhe ca ditë, deri sa të shpallet fituesi. Dhe deri atëherë... Jepi Tomi!