Erion Veliaj duket se është “bamirësi” i shpërndarjes së parave të Rilindjes në drejtim të oligarkëve “miq” me pushtetin ngjyrë vjollcë. Të shumta janë rastet kur kryetari i Bashkisë Tiranë ka shpërndarë para me thasë në xhepat e “miqve” të pushtetit. Dhe pa dyshim njëri prej më të mëdhenjve është edhe Pëllumb Salillari me kompaninë e tij “SALILLARI” SHPK. Deri më sot, në bazë të të dhënave të bëra publike, kompania “SALILLARI” SHPK rezulton se ka arkëtuar nga shteti shifrën e majme prej rreth 86 milionë euro vetëm në 8 vitet e fundit.
E me sa duket, nuk kënaqet vetëm me kaq. Për këtë sigurisht që mendon lali Zdromsi i cili rezulton se i ka dhënë një tjetër tender nëpërmjet UKT, e cila siç dihet është në varësi direkte të Bashkisë Tiranë. Më konkretisht bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me numër reference REF-70798-09-04-2020. Objekti i saj është “Spostim rrjet ujësjellësi dhe kanalizime në funksion të objektit: ’’Rehabilitimi i segmentit rrugor mbikalimi pallati me shigjeta rrethrrotullimi Shqiponja, Loti 1’’.
Fondi limit i këtij tenderi është 238,693,200 lekë të reja pa TVSH. Pra siç shikohet, e gjithë kjo shumë parashikohet për vetëm një lot. Vihet re se në tender kanë marrë pjesë 3 kompani, nga të cilat 2 kompanitë që kanë humbur kanë ofruar çuditërisht vlera thuajse të barabarta me njëra-tjetrën, me një diferencë prej vetëm 250 mijë lekë të vjetra! Ky është një dyshim i arsyeshëm se këto kompani kanë hyrë në garë thjesht sa për numër në mënyrë që të favorizohej kompania fituese e cila ka ofruar një vlerë pak më të ulët se dy të tjerat.
Por gjithsesi vlera e ofruar nga kompania “SALILLARI” shpk është 227,953,868 lekë të reja pa TVSH, ose rreth 2.7 miliard lekë të vjetra me TVSH. Kjo vlerë e cila u shpall edhe fituese, është sa 95.5% e fondit limit të tenderit, çka përbën një dyshim të qenësishëm se fituesi ka qenë i paracaktuar dhe se një pjesë e mirë e parave do të përfundojnë në xhepat e Salillarit.