Ruhuni, erdhi Ilir Beqaj! Ja ku po vjen! Prapë ai, duke gllabëruar miliona lekë nga pasuria e të gjithëve. Ju këshillojmë për çdo rast të kontrolloni një herë xhepat se mos ju ka “fluturuar” portofoli edhe juve, aq të gjata “i ka duart”. Është e pabesueshme se si ky njeri është gjithmonë i gatshëm të “kullufisë” një mal me para. Ashtu si pa u ndjerë, veç kur “opa”, direkt e në xhep milionat e taksave të shqiptarëve.
Por cili është rasti më i fundit i cili i ka dhënë Ilir Beqajt plot 300 milionë lekë të vjetra të tjera? Bëhet fjalë për një tender me numër reference REF-51118-02-20-2020 dhe me objekt “Shpenzime mirëmbajtje sistemeve financa, prokurimi, buxheti, e-ticket”. Tenderi në fjalë është realizuar nga ALBCONTROL SH.A ( ish A.N.T.A), e drejtuar aktualisht nga Drejtori i Përgjithshëm i saj, Mina Kusta.
Për habi, në tender ka marrë pjesë vetëm një bashkim operatorësh, përkatësisht “INTECH+” SHPK dhe “FBS” SHPK. Asnjë ofertues tjetër nuk është paraqitur në garë duke bërë që fituesi të mos lodhej fare e thjesht të priste të shpallej fitues. Kompania me të cilën ka lidhje Ilir Beqaj, është pikërisht “INTECH+” SHPK.
Kjo kompani deri në datë 09.09.2013 kishte si ortak mazhoritar Ilir Beqaj me 51% të aksioneve dhe pas kësaj date ia kaloi këto kuota ortakut tjetër minoritar të shoqërisë dhe mikut të tij Sokol Sinani, pas ardhjes në pushtet të PS. Sot e kësaj dite Sokol Sinani është administrator dhe ortak i vetëm.
Siç ju kemi informuar edhe më parë, “INTECH+” SHPK ka përfituar në 7 vitet e fundit mbi 8 miliardë lekë të vjetra tendera. Vlen të përmendet se në këtë tender që ju paraqitëm sot, kompania “INTECH+” SHPK bashkë me operatorin tjetër "FBS" SHPK, ka fituar me ofertën e saj prej 24,400,000 lekësh të reja ose rreth 300 milionë lekë të vjetra. Kjo shifër është e barabartë me 97,68% të fondit limit. I gëzofsh Ilir, edhe këto “thërrime” të tjera!