Ditën e sotme në orën 16:00 JOQ Albania ka vendosur të protestojë para AKEP, në lidhje me bllokimin e domainit dhe censurës që po i bëhet fjalës së lirë dhe mediave online në veçanti. Kujtojmë se në ditët e fundit kemi publikuar një seri përgjimesh nga ana e Policisë së Shtetit në lidhje me postimet e medias tonë. Dhe shkaku i gjithë kësaj kanë qenë pikërisht raportimet e qytetarëve në tërmetin e 26 nëntorit të vitit të kaluar me pretekstin se po shpërndanim lajme të rreme dhe po përhapnim panik në popull.
Ndërkohë në lidhje me protestën që do mbahet para AKEP, shumë qytetarë kanë shprehur miratimin e tyre dhe na kanë inkurajuar ta çojmë deri në fund luftën për mposhtjen e diktaturës dhe censurimit të fjalës së lirë. I tillë është dhe një mesazh i një qytetari, i cili shprehet se protesta nuk është vetëm e JOQ, por e të gjithë shqiptarëve, pasi këtu po bëhen gjëra absurde. Sipas tij, askush nuk duhet të ketë frikë të marrë pjesë në protestë, pasi kjo gjë garantohet me Kushtetutë dhe është një e drejtë themelore në një regjim demokratik.