Pasi tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar i prishi shtëpinë, familja Kasa është zhvendosur nga Kukësi për të jetuar në Kosovë në fshatin Shamalluk të Podujevës. Taip e Zylfete Kasa nga Kukësi, prej disa muajsh e kanë lënë pas frikën se ndonjë fatkeqësi mund t’ju ndodhë gjashtë fëmijëve të tyre. Shtëpia e tyre ishte dëmtuar shumë, kësisoj ata u detyruan të largohen nga Shqipëria për në Kosovë. Zylfetja e cila punonte si mësuese në Kukës, tani thotë që ndonëse jetën e kanë të sigurt, nuk kanë të ardhura financiare.
Taip Kasa tha se ata u zhvendosën në Shamalluk të Podujevës, pasi një mik i tyre ua liroi tokën. Por ata humbën shumçka nga tërmeti i cili ndodhi në Shqipëri. Gjithcka patën e shitën për ta ndërtuar shtëpinë në Kosovë. Tani duan që institucionet e Kosovës t’i pranojnë si qytetarë të saj, në mënyrë që të gjejnë ndonjë punë.