Tirana ia ka dalë sot të zhbllokojë merkaton. Lajmin e konfirmoi vetë klubi bardheblu, nëpërmjet njoftimit zyrtar se pas disa orësh bisedime me FIFA-n, kampionët e Shqipërisë kanë mundësinë të regjistrojnë lojtarë të rinj për sezonin në vazhdimësi. Katër ditë më parë, Tirana u trondit nga vendimi i FIFA-s për bllokimin e merkatos së janarit të sezonit 2020-2021 për shkak të një detyrimi prej 200 mijë eurosh ndaj ish-lojtarit të bardhebluve Moktar Cise. Tirana sot ka zgjidhur gjithçka dhe tani klubi është i lirë të afrojë futbollistë.
Njoftimi i Tiranës KF Tirana njofton se ka zgjidhur përfundimisht cështjen e bllokimit të merkatos. Pas orësh të gjata komunikimi me zyrtarë të FIFA-s bëjmë me dije se ditën e sotme është hapur sërish mundësia e transferimit të lojtarëve. Nga sot do të vijojmë të kryejmë të gjitha procedurat e nevojshme për zyrtarizimin e emrave te rinj që do të afrohen në klub dhe do të mbajnë veshur fanellën në vazhdimësi të sezonit.