Arkeologët kanë zbuluar më shumë se 54 arkivole prej druri dhe mumje që datojnë më shumë se 3,000 vjet në një tempull antik afër Kairos në Egjipt. Thesaret e reja u gjetën në nekropolin Saqqara, në jug të Kajros, i cili përbën një pjesë të nekropolit në kryeqytetin antik të Egjiptit, Memfis. Me bashkëpunimin midis Ministrisë së Antikiteteve dhe Qendrës Zahi Hawass në Biblotekën Aleksandria arkeologët zbuluan 22 puse varrimi që përmbajnë 54 arkivole që datojnë nga Mbretëria e Re, e cila sundoi Egjiptin midis rreth viteve 1570 para Krishtit dhe 1069 para Krishtit. Shumë prej arkivoleve shfaqnin skena të zotave që adhuroheshin në atë kohë. Gjetja ka ndihmuar arkeologët të përcaktojnë se zona Saqqara është përdorur për varrim gjatë Mbretërisë së Re, si dhe Periudhës së Vonë.
Zahi Hawass, ish-ministri i antikave të Egjiptit, zbuloi se ekspertët gjetën gjithashtu një papirus të gjatë katër metra që përfshinte tekste të Librit të të Vdekurve; një koleksion magjish që synojnë të drejtojnë të vdekurit përmes nëntokës së Egjiptit të lashtë. Puset e varrimit, të vendosura në thellësi prej 40 metrash, gjithashtu përmbanin lojëra antike, njëra prej të cilave është e ngjashme me shahun modern, si dhe statuja të Anubis dhe maska funerare prej druri.
Burimi:unilad Përktheu dhe përshtati:JOQ ALBANIA