Nuk është aspak trillim, por një çudi e vërtetë shqiptare. Rezulton se qendra spitalore “XHAFERR KONGOLI” ELBASAN, ka organizuar një tender kryekëput të dyshimtë. Themi kështu sepse nga 6 firma pjesëmarrëse, 4 kanë ofruar zero lekë. Tenderi është aq skandaloz saqë organizatorët as që janë munduar të sajojnë një procedurë të rregullt të paktën “me letra”.
Kështu, në tender kanë ofruar një vlerë ekonomike mbi zero, vetëm dy grupime kompanish, nga të cilat ka fituar grupimi që ka ofruar vlerën më të lartë. Kjo vlerë më e lartë nuk është dosido, përkundrazi në nivele tepër të larta, konkretisht rreth 500 mijë euro më shumë me TVSH.
Rezulton se këto dy grupime janë “Meteo shpk & Alba konstruksion shpk & Shendelli shpk” me vlerë të ofruar 297,461,361 lekë të reja pa TVSH dhe “Rafin Company & Gjikuria & Arkon Studio & Ndregjini” me vlerë të ofruar 248,158,241 lekë të reja pa TVSH.
Për habi, fitues është shpallur grupimi “Meteo shpk & Alba konstruksion shpk & Shendelli shpk”, ndonëse kanë ofruar rreth 500 mijë euro me TVSH më shumë se grupimi tjetër. Natyrisht grupimi që u skualifikua rezulton se ka bërë edhe ankesë, por që nuk është marrë në konsideratë nga komisioni i cili ka lënë në fuqi vendimin e parë.
Por cilët janë fituesit? Meteo shpk është në pronësi të Eral Myftaraj. Alba konstruksion shpk është në pronësi të Xhavit Ismaili, vëllait të ish-kryebashkiakut demokrat të Vorës, Fiqiri Ismaili. Ndërsa Shendelli shpk, zotërohet nga Yzedin Bozhaj. Ky është një tjetër shembull tashmë prej miliona eurosh, që tregon më së miri se mes eksponentëve të PS dhe të PD nuk ka asnjë pengesë për të ndarë paratë e popullit.