Një episod tepër i veçantë është regjistruar gjatë konferencës së djeshme në Spanjë, ku para gazetarëve kishte dalë trajneri i Kosovës, Bernard Challandes. Përkthyesi i trajnerit i dha fjalën gazetarit të AS, i cili i drejtoi një pyetje Challand, por përgjigjia nuk po jepej deri në momentin që gazetari të thoshte emrin e ekipit të Kosovës. E gjitha kjo ka ardhur pasi prestigjozja AS nuk e ka përmendur emrin e Kosovës në asnjë moment, madje as në artikujt e gazetës. Pas insistimit të përkthyesit, gazetari i AS, Ruben Ares, u detyrua të thoshte emrin e Kosovës. Menjëherë pas kësaj, trajneri u përgjigj.