Filipinet kanë pezulluar përdorimin e vaksinës AstraZeneca kundër Covid një ditë pasi Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) tha se mund të ketë një “lidhje të mundshme” midis vaksinës dhe “rasteve shumë të rralla të mpiksjes së pazakontë të gjakut”. Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) tha se ka një “lidhje midis vaksinës dhe shfaqjes së mpiksjes së gjakut me trombocite të ulëta që konsiderohet e besueshme, por nuk është konfirmuar”. Megjithëse nuk kanë ndodhur incidente të tilla në vend, Administrata e Ushqimit dhe Barnave (FDA) e Filipineve ka rekomanduar pezullimin e përkohshëm të përdorimit të vaksinës për personat nën moshën 60-vjeç ndërsa autoritetet po rishikojnë rezultatet në përputhje me udhëzimet e OBSH-së.
“Ky pezullim i përkohshëm nuk do të thotë që vaksina është e pasigurt ose joefektive. Kjo thjesht do të thotë që ne po marrim masa paraprake për sigurinë e çdo filipinasi"- tha Rolando Enrique Domingo, kreu i Administratës së Ushqimit dhe Barnave (FDA) të Filipineve.
Burimi:Reuters |Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania