Policia ka arrestuar ditën e sotme shtetasin Vasil Shabani i cili akuzohet për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”. Kjo pasi gjatë një kontrolli të ushtruar në mjetin e tij u gjetën një shumë prej 528.000 Lekë (te rinj) dhe një fletë e ngjashme me fletën e votimit. Policia ka proceduar në gjendje të lirë dhe kryetarin provizor të Subjektit Politik LSI për Bashkinë Pukë, shtetasin Demir Syla.
Gjatë kontrollit të ushtruar ne ambjentet e biznesit se tij, policia gjeti një fletë te ngjashme me fletën e votimit si dhe një listë me emra me numrat e ID të personave të shënuar. Policia njofton se Vasil Shabani është dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Njoftimi i policisë/ Pukë
Hartonin lista me të dhënat e kartave të identitetit, duke iu premtuar qytetarëve lekë në këmbim të votës, vihet në pranga sekseri. Procedohet penalisht drejtuesi i një subjekti politik. Sekuestrohen një sasi parash, një listë me të dhënat personale të 27 qytetarëve dhe dy fletë të ngjashme me fletët e votimit.
Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e krimeve zgjedhore pecialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Pukë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit V. Sh., 45 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Buzhale të Njësisë Administrative Qelez, Bashkia Pukë, i dënuar më parë për veprën penale “Armëmbajtja pa leje”.
Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë shtetasi D.S., 25 vjeç, banues në Pukë, me detyrë drejtues i një subjekti politik në Pukë. Arrestimi i shtetasit V. Sh. u bë sepse gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin e tij, në qytetin e Pukës, shërbimet e Policisë i kanë gjetur me vete këtij shtetasi shumën 528.000 lekë (të rinj), për të cilat nuk justifikonte burimin, si dhe nje fletë e ngjashme me formatin e fletës së votimit.
Nga kontrolli i ushtruar në ambientet e biznesit të shtetasit D.S., Policia gjeti dhe sekuestroi dhe një tjetër fletë të ngjashme me fletën e votimit, si dhe një fletë format A4, ku pasqyroheshin lista emërore (emër, atësi, mbiemer) me 27 persona dhe numrat e ID. Materialet hetimore në ngarkim të shtetasit V.Sh. (i arrestuar) dhe shtetasit D.S. (i proceduar në gjendje të lirë) u referuan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pukë për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Falsifikimi i materialit zgjedhor dhe i rezultateve të zgjedhjeve” dhe “Korrupsioni aktiv në zgjedhje, kryer në bashkëpunim”.