Mijëra qytetarë serb kanë protestuar kundër qeverisë para parlamentit, i cili sipas tyre nuk ka bërë asgjë për të parandaluar ndotjen e tokës, ujit dhe ajrit. Protestuesit mbanin në duar pankarta “Prisni korrupsionin dhe krimin, jo pyjet”, dhe “Të rinjtë po largohen sepse nuk marrin dot frymë”. Qytetarët kanë kundërshtur vendimet e qeverisë serbe, e cila vitet e fundit ka shitur burimet e saj minerare te kompanitë e huaja. Sipas banorëve, shtimi i proceseve për nxjerrjen e mineraleve mund të shkaktojë ndotje të madhe.
Gjithashtu, Serbia është përballur me probleme në rritje që përfshijnë menaxhim të dobët të plehrave dhe ndotje të lartë të ajrit të shkaktuar nga përdorimi i qymyrit me cilësi të dobët dhe ndotësve të tjerë. Lumenjtë janë ndotur nga mbeturinat toksike industriale dhe shumë qytete, përfshirë Beogradin, nuk kanë sisteme të mira të ujërave të zeza.
“Askush nga njerëzit që kanë pushtet nuk kujdeset, përveçse për të fituar para, atyre nuk u intereson ekologjia”, tha njëri prej protestuesve.