Këshilli i Lartë Gjyqësor gati për hetim nga SPAK, i jep tenderin Dulakëve që ofruan shifrën më të lartë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 06.05.2022, 22:11

Këshilli i Lartë Gjyqësor rezulton të ketë organizuar një tender të dyshimtë të denjë për t’u hetuar nga kolegët e SPAK. Natyrisht gjasat janë që kjo mos të ndodhë, por kjo nuk na pengon t’ju tregojmë se çfarë ka ndodhur. Ky institucion i drejtuar nga Naureda Llagami ka organizuar një tender me objekt “Blerje Automjete”.

Tenderi mban numrin e referencës REF-21856-03-11-2022 dhe ka si fond limit shifrën prej 11,128,000 lekë të reja, ose rreth 135 milionë lekë të vjetra me TVSH. Nëse hulumtojmë dokumentacionin e shpalljes së fituesit vihet re një çudi tipike tenderash shqiptarë.

Fitues është shpallur firma që ka ofruar vlerën më të lartë! Jo vetëm kaq por rezulton se ka patur thuajse mungesë totale konkurrence, pasi kanë paraqitur oferta vetëm dy firma. Përkatësisht ALBANIA MOTOR COMPANY me vlerë 10.980.000 lekë të reja pa TVSH dhe PORSCHE ALBANIA SHPK me vlerë 9.560.000 lekë të reja pa TVSH.

Për habi fituese është shpallur firma ALBANIA MOTOR COMPANY që ka ofruar 14 milionë lekë të vjetra më shumë sesa garuesi tjetër. Kompania fituese rezulton ndërkaq të jetë në pronësi të vëllezërve Artan, Adrian dhe Genci Dulaku. Jo vetëm kaq por vlera fituese rezulton gjithashtu të jetë thuajse e njëjtë me fondin limit të tenderit, përkatësisht sa 98.7% e tij.

Të gjitha sa më sipër shpien në konkluzionin se Këshilli i Lartë Gjyqësor është kandidat i denjë për t’u hetuar nga “kolegët” e SPAK për këtë tender.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të klikoni këtu për të na kontaktuar.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit