Magjia e një fshati që meriton më shumë…

Shkruar nga: A Naçi | Publikuar më: 10.01.2017, 10:47

Nga Marin Mema

Edhe pse reklamimi nuk e ka prekur aq sa fshatra të tjerë, Rehova e Kolonjës mbetet një destinacion i mrekullueshëm për turizmin malor. E vendosur rrëzë malit të Gramozit, vetëm pak minuta nga qyteti i Ersekës, Rehova është një fshat ku historia, ndërtimet karakteristike prej guri dhe traditat ndërthuren mahnitshëm.

Tumat ilire flasin për lashtësinë e vendbanimit, që këtu dukshëm i ka kaluar të gjitha fazat zhvillimore e historike, pa pasur shkëputje… Rrugicat e kalldrëmta, shtëpitë, që nga ana arkitekturore janë një art më vete, objektet e kultit dhe gjithçka tjetër, përbëjnë ansamblin e një fshati, që vlerë të shtuar ka mikpritjen, ashtu si e gjithë krahina e Kolonjës.

Mjaft shtëpi presin turistë, të cilët është e pamundur të largohen e të mos kërkojnë të rikthehen gjatë dimrit dëborëshumë apo verës së freskët e të gjelbëruar. Çdo gur në këtë fshat i gdhendur nga mjeshtrit me nam të tij, ka një histori‎, fsheh një legjendë apo traditë të mbartur brez pas brezi. Sokakët, oborret e vegjël e të rregullt, shtëpitë me çardakë të japin ndjesinë pozitive të një komuniteti të paqtë e që përpiqet të ruajë trashëgiminë e vyer.

Rehova është e tillë, duhet zbuluar me dëshirë për t’i njohur figurat e shumta që kanë dalë nga ky fshat…

Në Rehovë edhe krejt të panjohurit kanë diçka për të treguar, që nga kurbeti i kohëve të hershme drejt vendeve më të largëta, deri te figurat e patriotëve që nuk i kanë munguar kurrë. Pak kohë më parë ky fshat u shpall nga KKR qendër e mbrojtur për shkak të vlerave të rralla urbanistike, arkitektonike dhe historike.

Ky është vetëm hapi i parë i shndërrimit të tij në një destinacion të vërtetë, edhe pse do të duhet shumë më shumë nëse e krahason me vlerat që mbart ky vend. Sot Rehova më shumë se gjithçka ka nevojë të njihet nga publiku i gjerë, turistët dhe kushdo tjetër që do të donte të provonte një eksperiencë të paharrueshme duke prekur një muze në natyrë, një oaz që të mbush me jetë.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit