Tenderat duket se janë shumë të ëmbël për pushtetarët. Ndoshta sepse është një ndër mundësitë që të gllabërojnë sa më shumë para shtesë. Por duke qenë se pushtetarët shqiptarë janë tepër të babëzitur, këto tendera kthehen shpesh herë në skandale të vërteta.
Natyrisht njëri ndër institucionet që bën shpesh tendera të dyshimtë është edhe Bashkia e Durrësit. Shpesh ju kemi paraqitur tendera të dyshimtë të organizuara nga kjo bashki kryesisht në punimet infrastrukturore.
I tillë duket se është edhe tenderi që do ju paraqesim në vazhdim. Bëhet fjalë për procedurën me numër reference REF-28961-05-13-2022 dhe me objekt “Rikonstruksioni i hapsirave publike në bllokun e banimit në Lagjen Nr.17 dhe tek Muzeu i Dëshmorëve”.
Në këtë garë duket se kanë marrë pjesë disa kompani, por për habi nuk ka fituar ajo me ofertën më të ulët. Përkundrazi rezulton se ka fituar një firmë e cila ka ofruar gati 240 milionë lekë të vjetra me TVSH më shumë sesa oferta e një tjetër kompanie pjesëmarrëse në tender.
Fituese është shpallur kompania LIQENI VII në pronësi të Ramazan Kalia në bashkëpunim me NREGJONI në pronësi të Xhetan Ndregjoni. Vlera fituese është 55.230.394 lekë të reja pa TVSH ose rreth 660 milionë lekë të vjetra me TVSH. Kjo vlerë ndërkaq rezulton të jetë sa 88.38% e fondit limit të tenderit, duke ngritur akoma më tej dyshimet për një fitues të paracaktuar. A do të jetë vallë ky tender subjekt i SPAK?