Veliaj harxhon 750 milionë për të ushqyer fëmijët e çerdheve dhe kopshtve me qumështin pluhur të firmës “DELTA DONI”

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 12.08.2022, 22:35

Kohët e fundit bulmeti në Shqipëri është futur në një krizë të vërtetë. Sipas statistikave dhe sipas dëshmive të punonjësve të sektorit, mësohet se kërkesa për produkte bulmeti është shumë më e lartë se sa oferta aktuale në Shqipëri. Kjo ka ardhur kryesisht nga mungesa e krerëve të bagëtisë, si pasojë e një mos menaxhimi të duhur dhe mungesë politikash nga Ministria e Bujqësisë.

Në këto kushte, raportohet se fabrikat e qumështit importojnë sasi të mëdha qumështi pluhur kryesisht nga Serbia për të plotësuar kërkesat dhe nevojat për qumësht dhe si rrjedhojë edhe për bulmet. Pra ndryshe nga sa reklamohet, qumështi dhe bulmeti tek ne, në një masë të madhe nuk është i freskët por i bërë me qumësht pluhur. E në fakt këtë metodë mësohet se e zhvillojnë thuajse të gjitha fabrikat e qumështit në Shqipëri.

Por përtej kësaj, edhe kur bëhet fjalë për qumësht pluhur që shitet si i freskët, nuk mungojnë tenderat abuzivë dhe të dyshimtë. Njëri prej tyre është edhe ai i organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Çerdheve dhe Kopshteve në varësi direkte të Bashkisë Tiranë. Bëhet fjalë për një tender me numër reference REF-32876-06-14-2022 dhe me objekt Loti II – “Blerje bulmet, qumësht, kos, djath, gjizë”, me një fond limit prej 64,095,135 lekësh të reja pa TVSH, ose rreth 750 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Vihet re se kemi të bëjmë me një marrëveshje kuadër, ku nuk ka patur të kualifikuar të tjerë përveç fituesit. Pra tenderi zëre se i është dhënë “në dorë” firmës fituese që në rastin konkret është DELTA DONI në pronësi të Ferdi dhe Edmondi Gjata.

Kjo kompani ka dhënë një ofertë të barabartë me 62 686 710 lekë të reja pa TVSH ose rreth 750 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Nëse krahasojmë vlerën fituese me fondin limit të tenderit shikohet se kjo vlerë është sa 97.8% e tij, çka rrit së tepërmi dyshimet se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit