Nuk paskan fund miq tenderat e dyshimtë në vendin tonë. Nuk ka bashki nga më të mëdhatë e deri tek ato më të voglat që të mos organizojnë tendera të dyshimtë. Por sa më e madhe bashkia, normalisht aq më i madh edhe dëmi ndaj buxhetit të shtetit, pasi edhe shifrat “në lojë” janë më të larta.
I tillë duket se është edhe rasti me Bashkinë Durrës të drejtuar nga Emiriana Sako. Institucioni që drejtohet prej saj ka organizuar një tender me numër reference REF-25822-04-20-2022 dhe me objekt “F.V Gjelbërimi në qytet”.
Fondi limit i tij është 33,322,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 400 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Fituese është shpallur firma AlbGarden në pronësi të shtetasit Pjetër Trashaj me ofertë 29,522,080 lekë të reja pa TVSH ose rreth 350 milionë lekë të vjetra me TVSH.
Kjo shifër rezulton ndërkohë të jetë sa 88.6% e fondit limit, një fakt ky që ngjall dyshime. Por përtej kësaj, duke studiuar dokumentacionin e tenderit, shikohet se fituesi ka dhënë ofertën më të lartë nga gjithë pjesëmarrësit e megjithatë është shpallur fitues. Në garë kanë marrë pjesë në total 4 kompani, nga të cilat 3 prej tyre kanë ofruar më pak se fituesi. Një fakt i tillë ngre dyshime se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar.