Pasditen e sotme Kombëtarja shqiptare e futbollit U19 pësoi disfatë 5-0 ndaj Spanjës U19 në transfertë, në ndeshjen e vlefshme për kualifikueset e Europianit 2023.
Kjo humbje e thellë e kuqezinjve që drejtohen nga tekniku Armando Cungu vjen pak ditë pasi u mundën nga Belgjika me rezultatin 3-1.
Me këto rezultate negative kuqezinjtë U19 i japin fund shanseve për kualifikim të Shqipërisë U19 edhe si skuadër e tretë më e mirë në grupe, pasi golavarazhi 1-8 lë pak vend për diskutime.
Por kjo disfatë e të rinjve U19 dhe humbje turpëruese duket se ka vetëm një përgjegjës dhe ai është trajneri Armando Cungu.
Përfaqësuesit e stafit teknik të ekipeve të moshave pranë FSHF-së shprehen se Armando Cungu ka qenë i paaftë të krijojë një skuadër ku të harmonizohen aftësitë më të mira të të rinjëve shqiptarë. Sektori më problematik për të rinjtë e U19 ka qenë mesfusha dhe kjo për një arsye personale të Cungut.
Mësohet se trajneri Cungu ka grumbulluar dhe aktivizuar në fushë djalin e tij mesfushor William Cungu. Kjo “zgjedhje” e trajnerit Cungu ka ndikuar shumë në aspektin profesional të kuqezinjve që ai drejton por edhe moralin e tyre.
Dy disfatat e fundit të kombëtares U-19 kanë ardhur nga Cungu i vogël për fat të keq të Cungut të madh. Në të dy ndeshjet një minutë pas aktivizimit të Williamit ekipi ynë ka pësuar golat e turpit. Përzgjedhja e Cungut për të hedhur në fushë djalin e tij i ka habitur të gjithë pjestarët e ekipit, pasi William Cungu në kushte normale është një lojtar stoli në ekipin e tij dhe për më tepër kishte katër muaj që rrinte larg fushave të blerta për shkak të një dëmtimi.
Mesa duket bindja e Armando Cungut se me djalin e tij ekipi U19 do të fitonte ka qenë e gabuar se të rinjtë e moshave përveçse nuk fituan u turpëruan edhe më shumë me rezultatet që morën.
Shpresojmë që pas këtij elimimimi të kuqezinjve U19 nga Kampionati Europian dhe rezultateve turpëruese, Federata Shqiptare e Futbollit të ndërmarrë masa ndaj trajnerit Armando Cungu i cili ka kryer shkelje të etikës dhe profesionalizmit.
Vlen të thuhet se U19 shërben si një trampolinë e futbollistëve të rinj për në Kombëtaren e madhe pasi me paraqitjet e tyre tërheqin vëmendjen e teknikëve të përfaqësueses shqiptare.
Por nëse këta talente të rinj do vazhdojnë të jenë nën drejtimin e një trajneri si Armando Cungu atëherë rezultatet negative do shtohen dhe aftësitë e tyre do jenë të padukshme.