Dëbora e parë për këtë vit bllokoi totalisht Rrugën e Arbërit. Kontrata me koncesionarin ka kushtuar mbi 40 Miliard Lekë dhe pavarësisht se punimet nuk janë mbaruar në afatin e përcaktuar në kontratë, oligarku përfitues Rrok Gjoka vazhdon të struket në gjoksin e kryeministrit i cili e ka premtuar përfundimin e rrugës që prej vitesh.
Punimet për këtë rrugë kanë nisur që në mars të 2018-ë/ kur qeveria nënshkroi marrëveshjen me kompaninë Gjoka, ndërkohë që rruga duhej të kishte përfunduar maksimumi brenda vitit 2022 pasi janë plotësuar vitet që nga hyrja në fuqi e kontratës.
Është kjo miqësia publike qeveri-ngrënës taksash të popullit që konvertohet në kontrata miliarda lekë të hedhura në xhepat e buxhet-ngrënësve të republikës. Qeveria hedh kronika me Ballukun në dëborë sikur shteti po punon, ndërkohë që kontraktori nuk ka çuar asnjë borë-pastruese në aks.
Dhjetra drejtues mjetesh kanë rrezikuar jetën e tyre duke kaluar në rrugën e trumpetuar nga qeveria si sukses qeverisjeje. Ditën e djeshme hyrja për në Rrugën e Arbërit u mbyll, teksa u njoftua kalimi për në aksin e vjetër Klos-Burrel-Ulëz.
Rrok Gjoka është klient qeveritar e familjar i Rilindjes. Krushku i Gaz Demit i ka qarkulluar miliardat brenda familjes, aq sa ka mundur të heqë qafe nga postet publike edhe funksionarë shteti kur i kanë nxjerrë të palarat e Rrugës së Arbërit dhe e kanë çuar në organet e drejtësisë.
Kompania e Gjokës nuk ka eksperiencën e duhur për ndërtimin e tuneleve dhe kjo u shfaq haptazi kur ndodhi shembja e tunelit të Murrizit në fund të vitit 2019 dhe punimet u pezulluan për disa muaj. Kjo përcaktoi rritjen e faturës për popullin për të paguar 145 Milionë Euro për ndërtimin e tunelit të ri.
Në një raport të Ministrisë së Financave citohej se privati nuk ka realizuar punimet sipas kalendarit të planifikuar të punës, pavarësisht se ka marrë këstin e plotë për punimet nga qeveria.
Në lidhje me këtë skandal nuk reagon asnjë institucion i prezumuar ligjzbatues, që të nisë hetimet mbi shpërdorimin e taksave publike dhe mospërmbushjen e detyrimeve nga autoriteti kontraktor i cili ka shkelur ligjin duke mospërmbushur kushtet në kontratë.
Altin Dumani i SPAK është në gjumë letargjik në kohë bore, ndërsa Rrok Gjokën e mban ngrohtë Rama në gjoksin e tij teksa shohin “gallatën” që heq populli i ngecur në Rrugën e Arbërit të paguar kokërr më kokërr me taksat e tyre.