Bashkëpunimi PS-PD, Bardh Spahia i Shkodrës i jep 1.2 miliardë nipit të Sadri Abazit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 08.04.2023, 22:23

Pavarësisht se zgjedhjet janë “tek qoshja” dhe se supozohet se ka një rivalitet elektoral mes partive PS e PD, në realitet duket se kjo nuk është aspak e vërtetë. Ndonëse mbështetësit e secilës forcë politike mburren e diskutojnë forcën e tyre të preferuar politike duke sharë sa të mundin palën tjetër, në të vërtetë vetë përfaqësuesit e këtyre forcave shkojnë më së miri me njëri-tjetrin.

Këtë e vërteton fare mirë tenderi që do t’ju paraqesim më poshtë i dhënë nga Bashkia Shkodër e drejtuar nga demokrati Bardh Spahia. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-56886-01-25-2023 dhe me objekt “Shërbimi i pastrimit për Bashkinë Shkodër Zona Qendrore“.

Fondi limit i kësaj procedure është 105,658,072 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.3 miliardë lekë të vjetra. Nëse studiojmë dokumentacionin përkatës të këtij tenderi shikohet se fituese është shpallur kompania “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” e Arbër Abazit.

Ky i fundit është nipi i ish-deputetit socialist, Sadri Abazi. Firma e Abazit e ka fituar këtë tender duke ofruar shifrën prej 104,303,262 lekë të reja pa TVSH ose rreth 1.2 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

Nëse krahasojmë vlerën fituese me fondin limit të tenderit shikohet qartësisht se vlera e ofruar nga Abazi është 99% e fondit limit. Ky raport është tepër i dyshimtë dhe ngre pikëpyetja të forta në lidhje me faktin se fituesi ishte i paracaktuar që në fillim. Sido që të jetë, në fund të ditës rëndësi ka që PS e PD kur vjen puna tek paratë e popullit, bëhen të gjithë bashkë për t’i futur në xhep.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit