1 kilogram parkim 1 mijë lekë! Hallexhiu paguan 9 mijë lekë parkim në ditë te QSUT

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 25.05.2023, 22:44

Agjencia Ekonomike Mbështetëse gjatë vitit 2020 ka nënshkruar një marrëveshje si autoriteti menaxhues i territorit të QSUT. Konkretisht, Agjencia Ekonomike Mbështetëse menaxhon edhe pjesën e parkimit të spitalit, ku përveç mjekëve, aty janë të detyruar të parkojnë edhe qytetarë të cilët janë familjarë të të shtruarve në spital.

Pikërisht, në këtë pikë ata po vjedhin sa munden.

Një qytetar ka denoncuar pranë redaksisë tonë se AEM ka rritur përtej normave çmimin e parkimit në pak ditë.

Qytetari tregon se prej disa ditësh ai parkon makinën tek ambientet e QSUT, për shkak se ka një të afërm të sëmurë. Më parë ai thotë e paguante 1 mijë lekë të vjetra për një 1 ditë, më pas AEM e çoi në 2 mijë lekë të vjetra për një ditë e ndërsa tani çmimi është bërë 1 mijë lekë të vjetra ora. Për 9 orë parkim për hall, qytetarit i duhet të paguajë 9 mijë lekë të vjetra faturë.

Sepse qytetarët duhet të paguajnë 1 mijë lekë për 1 orë parkim. Aq sa paguajnë drejtuesit e mjeteve që parkojnë makinën në zonën e ish-Bllokut për të pirë kafe. Por në këtë rast theksojmë se kemi të bëjmë me ambientet e një spitali, ku qytetarët i drejtohen dyerve të shtetit për hall.

“Përshëndetje JOQ,

Uroj që ky mesazh t’iu gjejë mirë!

Ju lutem doja të ndaja me ju një çmenduri që bën Agjencia Ekonomike Mbështetëse SHPK me Nr NIPT: L81819025K dhe me Administrator z. Alfred DALIPI.

Kam parkuar për disa ditë rresht makinën për disa orë pasi një i afërm është shtruar pranë QSUT dhe kam paguar rreth 1000 lekë (të vjetra) për një orë parking. Ndërkohë më parë ishte shumë lirë 1000 lekë dita, më pas e bënë 2000 lekë dita, unë sot paguajta për 9 orë 9.000 lek nga xhepi im po sa shqiptarë hallexhinj parkojnë pranë QSUT-së dhe si ka mundësi që asnjë nuk ankohet rreth kësaj zhvatje ditore?!!!

A ka ndonjë kontratë kjo kompani me QSUT-në dhe në bazë të transparencës të na e tregojë se përse e kanë 10 fishuar këtë çmim katasrofike për qytetarët Shqiptarë. Uroj që kjo të pasqyrohet pranë JOQ edhe tu drejtohet instancave përkatëse”, shprehet qytetari.

Ndërkohë, në faturën që ai na ka dërguar shohim një gafë të madhe nga ana e shërbimeve të parkingut. Në foto dallon qartë që çmimi për orët e parkimit është shënuar në kilogram. Deri më sot e dimë që vlera llogaritet lekë/orë, por këta të Agjencia Ekonomike Mbështetëse paskan tjetër taktikë.

Ndërkohë skandali merr përmasa edhe më të mëdha ku shohim se pas kësaj afere qëndron Dritan Agolli i FSHZH. Nga dokumentet e regjistruara në QKB, Agjencia Ekonomike Mbështetëse ka si administrator Alfred Dalipin, por ortaku dhe drejtuesi i vërtetë është Fondi Shqiptar i Zhvillimit.

Sikur duket është Agolli ai i cili ka urdhëruar rritjen e kostove, deri në këtë pikë sa t’i pijnë gjakun edhe qytetarëve që janë në hall. Sepse në një raport të vitit 2021 të publikuar nga FSHZH mbi ecurinë e punës nga AEM thuhet se ky i fundit nuk ka siguruar fitimet e duhura nga menaxhimi i parkingut.

Treguesit ekonomikë dhe financiarë në përfundim të vitit 2020 dëshmojnë se AEM sh.p.k ka arritur të përmbushë në mënyrë jo të plotë detyrat dhe objektivat e vendosura nga programi financiar për muajt tetor-dhjetor 2020. Ajo që mund të evidentohet për ecurinë e realizimit të të ardhurave në këtë tremujor është fakti i mos realizimit të të ardhurave të planifikuara, si rezultat i situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Masat e marra dhe urdhrat e nxjerrë nga institucionet përgjegjëse gjatë kësaj periudhe shkaktuan një rënie të nivelit të të ardhurave. Gjatë kësaj periudhe, AEM ka disiplinuar lëvizjen dhe qëndrimin e automjeteve në territorin e jashtëm të Godinës QMSHSR përmes vendosjes së tarifave mujore për automjetet të cilat shfrytëzojnë këtë hapësirë”, thuhet në raportin e publikuar nga Fondi në vitin 2021.

Kështu, nga etja për të fituar sa më shumë para Agolli ka bërë këto manovra, ndërsa drejtuesja e QSUT, Albana Fico, bën sikur nuk sheh dhe nuk ka informacion. Shpresojmë që instancat përkatëse të reagojnë pas këtij denoncimi.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit