“E kam gati planin për të, ende i jashtëzakonshëm”, Xavi e do Messin me patjetër në Barcelonë

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 30.05.2023, 10:20

Ndërkohë që Messi ende nuk e ka vendosur të ardhmen e tij, trajneri i Barcelonës, Xavi Hernandez, po bën maksimumin që ta kthejë “Pleshtin” në Katalunjë, aty ku do ta prisnin edhe një herë si në kohët e vjetra.

Kontrata me PSG-në ka përfunduar dhe ndarja është thjesht një formalitet për tu kryer. Oferta prej 400 milionë eurosh në sezon e ofruar nga arabët është shumë tunduese, por edhe Barcelona qëndron në tavolinën e kampionit të botës.

Trajneri i Barcelonës, në një intervistë për mediat spanjolle është shprehur se Messi mund t’i shërbejë skuadrës kampione të Spanjës në shumë pozicione dhe ka ende për të dhënë në futbollin e niveleve të larta.

“Leo mund të luaj në role dhe pozicione të ndryshme sulmues i fshehur, anësor ose më shumë brenda fushës, madje edhe playmaker për të bërë pasimin e fundit.

Tani ai pothuajse është bërë mesfushor dhe ndoshta ka humbur pak eksplozivitetin, por në Kupën e Botës pamë një Messi të jashtëzakonshëm. Për mua, ai ka ende vite në një nivel të lartë përpara tij, nuk kam dyshim se do të ndihmonte”, u shpreh tekniku Xavi.

Barcelona ende nuk i ka bërë një ofertë zyrtare Messit për shkak se pret miratimin nga “Fair Play” financiar, por mes palëve ka pasur disa biseda dhe ka një dakordësi paraprake që në rast se elementet financiare i lejojnë, Messi të zbarkojë në Katalunjë.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit