Beteja e të pamposhturve, Sevilla sfidon sot Romën e Mourinhos për titullin e Europa League

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 31.05.2023, 11:15

Sonte në orën 21:00 në stadiumin e Budapestit, do të luhet finalja e parë evropiane, që sheh Sevillan dhe Romën të luftojnë për trofeun e dytë për nga rëndësia, Europa League. Jose Mourinho do të kërkojë këtë mbrëmje që të koleksionojë trofeun e dytë radhazi me Romën, pas triumfit të Tiranës vitin e shkuar në Conference League.

Portugezi shkon në këtë finale si i pamposhtur, pasi nuk ka humbur asnjë nga 5 finalet e tij evropiane në karrierë. Nga ana tjetër, Sevilla njihet si sunduesja e këtij kompeticioni, pasi e ka fituar më shumë se çdokush. Spanjollët që nga viti 2006 e kanë fituar plot 6 herë këtë trofe dhe këtë mbrëmje do të tentojnë të 7-in.

Për me tepër Sevillia nuk ka humbur asnjë finale të Europa League dhe do të bëjë çmos që diçka e tillë të vijojë të mos ndodhë. Për Romën kjo finale do të ketë një rëndësi të dyfishtë, pasi është mundësia e vetme që sezonin e ardhshëm të luajë në Champions League.

Madje për fituesin do të shkojnë 24 milionë euro fitime, 8.6 vetëm nga finalja e Budapestit. Për fatin e mirë të Romës, Spinazola është rikuperuar dhe pritet titullar, ndërsa edhe Dybala do të jetë i disponueshëm pavarësisht se nuk do ta nisë nga minuta e parë.

Në prag të finales Jose Mourinho është shprehur se ‘Roma është gati të bëjë hapin madhështor’, referuar faktit që ky është sezoni i dytë radhazi që luan një finale Europiane, pasi në 25 majin e 2022 fitoi Conference League në Tiranë. Sakaq trajneri i Sevillia-s Mendilibar është shprehur se ‘këtë finale e ka përgatitur si të gjithë ndeshjet e tjera’.

Për këtë finale ka folur edhe legjenda e Romës, Totti, i cili ka thënë se shpreson që rekordi i Sevillia-s të thyhet sonte, ndërsa Marash Kumbulla, i cili nuk është i disponueshëm për shkak dëmtimi ka shprehur mbështetjen për shokët e skuadrës të Romës në rrjetet sociale. Ai do të jetë sot në stadium, edhe pse me paterica, pas operimit në ligamentin e gjurit.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit