DOKUMENT/ Koncesioni 119 MLN euro dhe tenderi pa garë që çuan pas hekurave Joana Duron

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.06.2023, 09:47

Ditën e djeshme ka rënë në pranga sekretarja e përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro, me urdhër të lëshuar nga SPAK. Duro është arrestuar për korrupsion dhe shpërdorim detyre. Prokuroria ende nuk ka përcaktuar se për cilat raste flitet specifikisht, por deri më tani bëhet djalë për një tender dhe një koncesion, për të cilët disa punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë janë kallëzuar një vit më parë në SPAK nga Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Në një njoftim për shtyp të datës 26 janar 2022, KLSH shprehet se ka konstatuar shkelje në koncesionin me objekt “Koncesionin/ partneritetin publik privat, për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës” si dhe procedurën e prokurimit për “Blerje monitor pacienti për masat anti-covid”.

Asaj kohe lajmi bëri xhiron e rrjetit por nuk pati asnjë reagim nga Kryeministria apo Ministria e Shëndetësisë. Ndërsa tani që SPAK u 'zgjua' ra në pranga sekretarja e përgjithshme Joana Duro.

Por, le të shohim se për cilat projekte bëhet fjalë. Nga dokumentet më poshtë tregohet se "koncesioni për ofrimin e shërbimit laboratorik të spitaleve universitare, rajonale dhe atyre bashkiake të Sarandës dhe Lushnjës" është firmosur në Prill të vitit 2017 dhe për të janë lënë në dispozicion 13,005,966,000.00 lekë ose 119 milionë euro.

Kompania koncesionare është LABORATORY NETËORKS me administrator Sokol Ramizi. Kjo firmë ka kontratë të lidhur me operatorët Labopharma Sh.p.k & Exalab & AB Laboratory Solutions, të cilat janë degë të saj. Pra, leku ka qarkulluar po tek të njëjtat duar.

Ndërsa tenderi në të cilin janë konstatuar shkelje ka si objekt “Blerje monitorë pacienti për masat anti-Covid -19”. Proceduara është hapur nga vetë Ministria e Shëndetësisë, me në krye Ogerta Manastirliun, e cila ka hedhur firmën me 17 qershor të vitit 2020.

Sikur duket nga dokumentet ky tender është zhvilluar në shkelje dhe i janë vënë dy flamur të kuq. Së pari, Manastirliu e ka dhuruar kontratën në mungesë të konkurrencës.

Së dyti, kemi të bëjmë me një procedurë me negocim, që ligji nuk e lejon. Në fakt vetë kryeministri Edi Rama ka urdhëruar që të ndalohen këto lloj procedurash, por ministrja e tij e besuar nuk ia ka vënë veshin.

Ky tender abuziv i është dhënë firmës 'OES DISTRIMED', në pronësi të Orjada Jaho dhe Ermal Rizaj. Të njohur për dhjetëra tenderë pa garë të përfituar nga Ministria e Shëndetësisë.

Tani që faktet janë në dorë të SPAK, janë ashiqare dhe të pajustifikueshme, presim vetëm që drejtësia njëherë të vetme të bëjë si duhet detyrën e saj!

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit