“Tronditet” Milani/ Cardinale shkarkon Maldinin dhe Massaran, zbulohen pasuesit e tyre

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 06.06.2023, 09:28

Milani u trondit fort mbrëmjen e djeshme pas “tërmetit”, që përfshiu klubin, ku dy drejtorët Paolo Maldini dhe Frederic Massara janë larguar, për të mos thënë shkarkuar. Ata kishin kontratë deri në verën e vitit 2024, por pas një bisedimi me pronarin Gary Cardinale, palët janë ndarë përfundimisht.

Vendin e tyre pritet ta marrin Giorgio Furlani, që do të ketë fuqi absolute, si dhe Moncada, shefi i skautëve që pritet të emërohet në rolin e drejtorit sportiv. Trajneri Stefano Pioli, edhe pse i përzgjedhur nga Maldini, nuk preket dhe do të ketë një rol më të fortë vendimmarrës brenda klubit.

Maldini dhe Cardinale në asnjë moment nuk mundën të krijonin një marrëdhënie miqësore me njëri-tjetrin, teksa ish-kapiteni legjendar vazhdimisht kërkonte më shumë autonomi, por edhe më shumë investime. Ky reagim energjik i tij nuk i ka pëlqyer drejtuesve, që kanë arsyetuar largimin e tij pikërisht në këtë verë.

Dështimi me De Ketelaere dhe Origi ka rënduar gjithashtu në vendimin për largimin e Maldinit dhe Massaras. Këto lëvizje në merkato dhe rezultatet jo të mira këtë sezon, ku ndikon shumë edhe eliminimi nga Interi në fazën gjysmëfinale të Champions League, bëri që palët të shkonin në një divorc të bujshëm.

“Finalja e ndeshjes. Maldini-Milan lamtumirë”, hapet sot La Gazzetta dello Sport në faqen e parë. “Revolucion te Milan, ikën Maldini dhe Massara”, ishte titulli kryesor i Corriere dello Sport.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit