Policia e deklaroi si vetëvrasje, babai akuzon dhëndrin: Anisën e vrau ai, nuk ia fal që më tha se u hodh nga dritarja

Shkruar nga: Bardh Kodheli | Publikuar më: 07.06.2023, 10:24

Një ngjarje e rëndë dyshohet të ketë ndodhur në Durrës, aty ku para disa muajsh mbeti e vdekur 24-vjeçarja Anisa Gjini, nënë e një djali 3 vjeç, e cila fillimisht u dyshua se është hedhur nga dritarja e katit të tretë të banesës, ku jetonte bashkë me burrin e saj, Alfred Gjini dhe vjehrrën Fahrije Gjini.

Megjithatë, është babai i të ndjerës, që për emisionin “Stop” hedh dritë mbi ngjarjen e rëndë. Ai ka dyshime të forta se vajza është vrarë nga burri i saj, Alfred Gjini, dhe se nuk është vetëhedhur nga dritarja e katit të tretë. Sipas tij, ngjarja ka ndodhur pas një momenti të tensionuar mes çiftit.

“Është gjëja më e keqe që më thotë se është hedhur. Që ajo po të ishte hedhur do të ishte bërë fije-fije. Nga kati i tretë të mos ketë asnjë shenjë në kokë përveç çarjes, duarsh këtu, shenjat e dhunës, nuk kishte sens. Është vrarë, bashkë me të ëmën. Ma ka lënë nusja, 10 vjeç ma ka lënë atë. E rrita, e çova nuse dhe e mora të vdekur nga atje. Nuk mundem. E mora të vdekur”, pretendon fillimisht babai. Gjithashtu ai është shprehur se djali 3-vjeçar i çiftit ka treguar se babai i tij e ka goditur në kokë nënën dhe i është shprehur se nuk duhet të tregojë.

Ndërkohë, në dëshminë e tij, Alfredi tregon se është kthyer në shtëpi rreth orës 18:00. Në 19:00, ata kanë darkuar dhe më pas ai po shikonte ndeshjen Itali-Spanjë. Alfred Gjini tregon se në momentin kur ka bërë gol Spanja, ai është ngritur dhe ka parë Anisën në dhomën e gjumit duke shkruar në telefon.

I është afruar dhe e ka pyetur se me kë po flet. Anisa është përgjigjur se po flet me tezen. Në këtë moment Alfredi i merr telefonin me forcë dhe shkon në banjo për të parë se me kë po fliste Anisa. Ai deklaron se ka kaluar nga dritarja e banjos te ballkoni dhe në ato momente dëgjon komshinjtë, të cilët po bërtisnin, “ra, ra”.

Ai tregon se zbriti nga shkallët me shpejtësi dhe pa bashkëshorten poshtë pa ndjenja. Sipas deklaratës, ai nuk ka pritur për ambulancën, por e ka çuar Anisën me makinën e tij drejt spitalit, ku ajo u konstatua pa jetë. Ndërkohë vjehrra tregon se Alfredi dhe Anisa erdhën në shtëpi rreth orës 18:00. Në orën 21:00 ata kanë darkuar së bashku dhe nuk ka pasur asnjë konflikt.

Ajo ka treguar gjithashtu se djali i saj dhe nusja kanë qenë duke parë ndeshjen Itali-Spanjë dhe vjehrra thotë se në këtë moment ka qenë në banjo dhe ka parë djalin me telefonin e nuses në dorë dhe Anisën duke e ndjekur nga pas që t’i jepte telefonin. Por ai nuk ka pranuar që t’ia kthejë. Vjehrra tregon se Anisa u mërzit dhe vrapoi drejt ballkonit që të hidhej.

I ati i Anisës thotë se u njoftua 4 orë pas ngjarjes, vetëm kur vajza e tij ishte çuar në morg. “Atë ditë më kanë marrë në orën 1 të natës, kur goca kishte që në orën 22:00 në spital. Në 1 të natës më kanë marrë më kanë thënë që na ndodhi kjo, ‘u vra Anisa’. Më ka marrë dhëndri nga dega. Pas katër orësh që ishte vrarë goca më ka njoftuar, që ishte ora 1, 1 e 10 që ka ik nipi.

Pas nipit kemi ikur dhe ne. Nuk arrita ta shoh. E kemi gjetur në morg. Luftë me veten. U detyrova e mora, sepse e prura dhe i bëra varrimin. Nuk e prisja kurrë. Unë mezor i rrita ata fëmijë. I martova për mrekulli. E bëri, ma vrau. Më bëri namin, hatanë. Çfarë me thënë! Më mirë të vdes edhe unë dhe të mbyll hallet sesa të përjetoj këtë”, tha i ati.

Kur pyetet nëse dhëndri ka pasur probleme me vajzën e tij, babai tregon. “Ai e ka qëlluar një herë gocën tek daja i vet me sebep të çunit, se gjithmonë ishte arrogant, mosmirënjohës, sepse unë nuk doja që të prishej ajo kurorë, sepse thosha hatri i fëmijës. Më pati thënë o ba hajde më merr njëherë. ‘O babush dëgjo babin kthe rrugë për hatrin e fëmijës. Kthe rrugë për hatrin e fëmijës, s’ka gajle të sillet ai. O babi nuk durohet kjo plaka. O babi nuk durohet e shara e kësaj nëpër lagje’. Nuk mundem më dhe i jap pishmanit asaj që nuk arrita ta marr”, tregon babai.

Ai flet për shenja në trupin e Anisës, të cilat shtojnë dyshimet për vrasje, teksa ka shumë dyshime në lidhje me procedurën e kryer nga policia e Durrësit. “Ata kanë pasur kohë të lirë, si i kanë bërë hesapet e tyre, i dinë vet. Nuk ia fal këtë që thotë se është hedhur goca.

Nuk ia fal sa të jem gjallë. Se po të ishte hedh, goca ime do të ishte hedhur bashkë me nipin e vogël se nuk kishte burrë nëne t’i ndante. Këto lloj shenjash nuk janë të hedhura. Nuk ka fare këtu. Vetëm një shenjë ka të goditjes. Do ishin thyer brinjë nga rënia”, tha i ati.

Sipas të atit OPGJ i Durrwsit, Shkëlqim Osmani, nuk ka bërë një kontroll të detajuar brenda shtëpisë për të parë nëse ka pasur përleshje, shenja gjaku apo prova të tjera që do t’i shërbenin hetimit. Ndwrkohw, ai ka shkrepur vetëm 4 foto si prova pwr ngjarjen.

“Nuk është bërë asnjë kontroll në shtëpi. Me çfarë e çoi në spital? Me biçikletë? Si nuk bëri policia një kontroll atje brenda. I tha nipi me çfarë e çoi, vallaj nuk e di tha. Ishte oficer burri i huaj. Si u bë kjo punë? Kaq shpejt. Nuk është gjithçka leku.

Gjaku i fëmijës tim nuk ka për t’u blerë as për t’u shitur sa të jem gjallë unë. Sa të jem gjallë unë! Atë që i ka bërë fëmijës tim do ta vuajë sa të jetë gjallë. Ashtu si po qaj unë për ditë do t’i vijë ora dhe do qajë edhe ai. Ashtu siç nuk rri dot pa i shkuar një ditë te varri, nuk rri dot, më ka ikur një fëmijë, engjëll…”, shprehet babai.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit