1.2 MLD lekë për ta fshirë dhe larë/ Veliaj “i dhuron” Fushës ‘Sheshin Skëndërbej’

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 07.06.2023, 13:01

Një muaj më parë JOQ ka denoncuar tenderin elektoral të Veliajt me objekt 'Mirëmbajtja dhe Menaxhimi i Sheshit Skëndërbej'. Ky tender u shpall vetëm pak ditë para zgjedhjeve vendore dhe ishte e pritshme që do të bëhej si 'dhuratë elektorale' për një nga ortakët e Veliajt.

Bashkia Tiranë ka firmosur kontratën me datë 6 qershor dhe fituesi është firma “Fusha shpk” e Shkëlqim Fushës.

Sikur duket nga dokumenti, Fusha e ka përfituar tenderin në shkelje ligjore dhe për këtë i është vënë flamuri i kuq. Në fakt çdo tender i Shkëlqim Fushës rezulton në shkelje, si shkak i marrëdhënieve të afërta që ia ka me qeveritarët.

Në fakt, edhe dy firma të tjera kanë paraqitur ofertë për këtë tender, madje njëra prej tyre me vlerë më të lirë, rreth 830 milionë lekë. Por, sërish Veliaj nuk i ka hyr në sy. Me sa duket Fusha e paska sponsorizuar si duhet fushatën e kryebashkiakut. Dhe ky i fundit po ia shpërblen me një llokmë të madhe tenderësh.

Në denoncimin e parë kemi theksuar se me këto para Fusha do të fshijë 1 herë në javë sheshin dhe do ta lajë 1 herë në muaj. Ndërsa 1 herë në 6 muaj do të bëjë pastrim të thellë të gurëve.

Edhe në dokumentin përfundimtar nuk përcaktohet nëse firma do duhet të ketë punonjësit e vetë, të cilët do të punojnë bashkë me ata të bashkisë. Apo, për të kursyer par aFusha do të shfrytëzojë të njëjtët punonjës!? Ndërsa është e pritshme që me fillimin e zbatimit të projektit, Shkëlqimi do të fillojë të kërkojë nga Bashkia edhe tenderë për mjete pastrimi.

Fituesi i këtij tenderi nuk ishte fortë surprizë për ne. Sepse emri i Shkëlqim Fushës përshihet në çdo aferë korruptive qe zhvillon Erion Veliaj, duke përmendur të fundit vlerën prej 18 milionë euro që iu dha për rijetësimin e Piramidës. Apo për shembjen e teatrit dhe lejen për ndërtimin e të riut.

Ndërkohë, në tabelën më poshtë shohim se në 4 vitet e fundit 'Fusha shpk' ka përfituar nga Thesari i Shtetit 88 milionë euro, vetëm përmes tenderave. Të cilët janë të zhytura në shkelje ligjore.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit