Nga Valmira Halimi
Derisa mortja kishte mbuluar gjithë vendin dhe hapeshin varre, ishte një vajzë e re që i jepte shpresë jetës në Kosovë, ajo që jepte lajme të mira. Ishte një mami që ndihmoi më shumë se 150 nëna të lindnin nëpër shtigjet e luftës, pa kushte elementare higjienike e mjekësore.
Është Magbule Brahimi nga Shtimja e cila si 19-vjeçare kishte asistuar për herë të parë në një lindje në kohën e luftës. Ndonëse sapo kishte përfunduar shkollën e mesme të infermierisë së përgjithshme, ajo në luftë ishte detyruar që të ushtronte profesionin e mamisë.
Në një rrëfim për lajmi.net, Magbulja tregon për emocionet që kishte pasur kur asistoi në lindjen e parë dhe përjetimet gjatë kohës së luftës, të cilat siç thotë ajo, do të mbesin përherë në kujtesën e saj. Ajo tregon se gjatë periudhës së luftës i kanë regjistruar 150 lindje. Pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme që kanë punuar, vajza shprehet se kanë arritur që 148 fëmijë t’i sjellin në jetë gjatë periudhës së luftës.
Magbulja flet edhe për kushtet dhe mungesën e mjeteve elementare, si dhe momentet e vështira që kanë kaluar gjatë periudhës së luftës. Pavarësisht kushteve të jashtëzakonshme që kanë punuar, Magbulja shprehet se ardhja në jetë e fëmijëve i ka dhënë edhe më shumë vullnet për punën që e bënin.
Mamia kujton edhe ndjenjën që i japin fëmijët kur i sheh tani pas kaq vite.
Përveç asistimit në lindje, ajo thotë se momente të paharrueshme janë edhe shërimi i plagëve të fëmijëve e ushtarëve të plagosur. Por momenti më i rëndë mbetet kur babai i saj, i cili ishte ushtar i UÇK-së, kishte ardhur i plagosur në vendin ku ishte e vendosur ajo bashkë me stafin.
Magbulja thotë se edhe tash i ka ndodhur që të asistoj në një lindje e me kushte të jashtëzakonshme, pavarësisht se tash e 21 vjet nuk e ushtron profesionin e mamisë