JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Posta Shqiptare i jep 600 milionë tender firmës ELEKTROSEK me ofertë sa 99.5% e fondit limit
Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 16/10/2021 22:18

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Posta Shqiptare është njëri ndër ato institucione shqiptare që është lakuar më së shumti për sa i përket tenderave të dyshimtë. Jo vetëm kaq por tenderat e dyshimtë të këtij institucioni janë në vlera tepër të konsiderueshmë që variojnë nga disa qindra milionë deri në miliarda lekë. E megjithatë duket se askush nuk e vë ujin në zjarr qoftë edhe për t’i verifikuar këto tendera të dyshimtë.

Njëri prej tyre është edhe kjo procedurë prokurimi që do t’ju paraqesim në vijim. Bëhet fjalë për tenderin me numër reference REF-03267-08-19-2021 dhe me objekt “Shërbimi i mirëmbajtjes së sistemeve të alarmit e të vëzhgimit, marrjes në rrugë valore të sinjaleve të alarmit, verifikimit dhe reagimi me grup të gatshëm në të gjitha Filialet e Degët dhe shërbimin me GPS/GPRS për automjetet e Postës Shqiptare”.

Fondi limit i këtij tenderi është 51,280,388 lekë të reja pa TVSH ose rreth 600 milionë lekë të vjetra me TVSH. Por nëse studiojmë mënyrën se si ky tender është zhvilluar, dalin në pah dy moment të dyshimta. Së pari vihet re se në këtë tender kanë marrë pjesë vetëm dy kompani, nga të cilat njëra ka marrë pjesë por nuk ka ofruar fare vlerë ekonomike.

Ndërsa pjesëmarrësi tjetër përkatësisht bashkimi i operatorëve “Elektrosek” sh.p.k. NUIS L12122013A & “S.A.S (Special Albania Security)” sh.p.k. NUIS K31526053M & “NAZERI – 2000” sh.p.k. NUIS K31422029Q & “Trezhnjeva” sh.p.k. NIUS K19303605O & “ARB-SECURITY” sh.p.k. NUIS K72223025M, përfaqësuar me prokurë nga operatori “Elektrosek” sh.p.k. NUIS L12122013A është shpallur fitues për vlerën 50,999,999 lekë të reja pa TVSH ose rreth 600 milionë lekë të vjetra me TVSH. Vihet re se kjo vlerë është thuajse identike me vlerën e fondit limit, përkatësisht sa 99.5% e tij. Këto fakte e bëjnë këtë tender të dyshimtë pasi ka mundësi që fituesi të ketë qenë i paracaktuar.