JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

Pse Edi Rama nuk shprehu ngushëllime për vdekjen e katër turistëve rusë, së paku në rrjetet sociale?
Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 18/10/2021 13:38

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Nga Kastriot Myftaraj

Turistët e huaj shihen si miq në vendin ku shkojnë dhe duke folur me arsyetimin e kryeministrit për ardhjen e afganëve në Shqipëri, ndaj tyre duhet të tregohet mikpritja tradicionale shqiptare, pavarësisht se ata ndryshe nga afganët vijnë dhe rrinë me shpenzimet e tyre. Nëse do të kishin vdekur katër afganë nga ata që kanë ardhur në Shqipëri, kryeministri me siguri do të bënte më shumë se një ngushëllim në rrjetet sociale.

Vdekja e katër turistëve të huaj, në këtë rast rusë është një ngjarje që nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e shtetit shqiptar. Sipas logjikës së kryeministrit për rastin e ardhjes së afganëve, tani na ndodhi vdekja e katër miqve në shtëpi, prandaj duhej së paku një ngushëllim. Aq më tepër duhej pritur një ngushëllim nga Kryeministri Rama, meqënëse ai nuk ka munguar që të shprehë ngushëllime kur kanë ndodhur ngjarje të rënda nëpër botë. Madje kryeministri duhet të kishte siguruar shtetin dhe opinionin publik rus se shteti shqiptar do të bëjë gjithçka që duhet për të zbuluar të vërtetën e ngjarjes, pra nëse ka apo jo një krim pas kësaj vdekjeje të mistershme.

Kryeministri Rama nuk bëri as njërën as tjetrën. Nuk bëri së paku as një status në Facebook, as një tweet. Dikush mund të thotë se pushtetet janë të ndara dhe me këtë çështje do të merren institucionet e tjera përkatëse jo qeveria. Ashtu është por Kryeministri ka kompetencën dhe detyrimin kushtetuese që të ndjekë politikën e përgjithshme në vend, në kuptimin më të gjerë të kësaj fjale. Që do të thotë se duhet t’ i nxitë institucionet e drejtësisë që të jenë të përgjegjshëm edhe nga pikëpamja e pasojave që kanë veprimet dhe mosveprimet e tyre mbi reputacionin e shtetit shqiptar. Dhe Policia e Shtetit, e cila bën hetimet paraprake është në vartësi të qeverisë madje drejtori i përgjithshëm i saj zgjidhet drejtpërdrejt nga kryeministri.

Kryeministri Rama e ngacmonte Sali Berishën që nga foltorja e Kuvendit duke iu drejtuar me fjalët “E kalon dot Atlantikun?”, me të cilat donte t’ i thoshte se Berisha nuk shkonte dot në SHBA. Tani mund t’ i thuhet Edi Ramës: “E shpreh dot një ngushëllim në rrjetet sociale për Sergei Burenkovin dhe familjen e tij?” Kryeministri Rama sigurisht që e ka një arsye që nuk shprehu së paku një ngushëllim në rrjetet sociale për vdekjen e turistëve rusë. Sjellja e tij ka një shpjegim makbethian. Ai dëshiron që të rrijë sa më larg kësaj çështjeje. Shenjat janë se hetimi për këtë çështje po bëhet i përciptë madje Policia e Shtetit ia nisi duke përhapur lajme të rreme për të vdekurit nëpërmjet gazetarëve hulumtues të rremë që shërbejnë si dizinformues në shërbim të Policisë. Kur ndodh një vdekje e dyshimtë e një shtetasi të huaj në një vend, gjëja e parë për të cilën hetohet janë lidhjet e tij të mundshme me vendasit. Pikërisht këtë gjë nuk po bën Policia Shqiptare në këtë rast.

Të katër rusët e vdekur në Shqipëri kishin lidhje me Edi Ramën. Njëri, 60 vjeçari Sergei Burenkov ishte vëllai i tij nga martesa e parë e të atit Kristaqit në Rusi. Gruaja e Sergeit, Natalia ishte kunata e Edi Ramës. Vajza e Sergeit dhe Natalies, Ekaterina ishte mbesa e Edi Ramës. Bashkëshorti i Natalias, Nikita ishte burri i mbesës së Edi Ramës. Të katër rusët kishin vizituar varrin e Kristaq Ramës në Tiranë para se të shkonin në Qerret. Një krahasim i të dhënave gjenetike të Sergei Burenkovit dhe Edi Ramës do të zbulonte të vërtetën e plotë të ngjarjes.

Sergei Burenkov pagoi me jetë shantazhin shumëvjeçar që i bënte Edi Ramës duke i kërkuar para që të mos publikonte të dhënat e padëshiruara për këtë të fundit mbi lidhjet e prindërve të Edi Ramës me KGB-n në kohën kur kishin qenë për studime në Bashkimin Sovjetik dhe Poloninë e kontrolluar nga sovjetikët. Është shumë shqetësues fakti që autoritetet ruse po e fshehin faktin e lidhjes me kryeministrin shqiptar të katër rusëve të vdekur në Shqipëri pasi kjo gjë tregon se shërbimet e fshehta ruse duan t’ i përdorin këtë Ramës si kompromat (material kompromentues) për ta detyruar me shantazh që të bëjë gjëra që ia kërkojnë ata.