JOQ Albania
App Store
SHKARKO
Home
JOQ Albania

INSTAT nxjerr të dhënat: 151 persona të vdekur nga 1.024 aksidente rrugore të ndodhura nga janari në shtator
Shkruar nga: A Shehaj | Publikuar më: 18/10/2021 14:55

  • Share
  • Share
  • Share
  • Share

Instituti i Statistikave ka publikuar ditën e sotme të dhënat e fundit në lidhje me aksidentet rrugore në vendin tonë gjatë muajit shtator por edhe nëntëmujorit të parë të këtij viti. Sipas të dhënave nga INSTAT në muajin Shtator 2021 numërohen 105 aksidente rrugore nga 138 aksidente të ndodhura në muajin Shtator 2020, duke u ulur me 23,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ndërsa nëntëmujori i vitit 2021 paraqitet me një rritje prej 13,4 %, ku numërohen 1.024 aksidente rrugore nga 903 aksidente të ndodhura në nëntëmujorin e vitit 2020.

Në muajin Shtator 2021, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) është 141 persona nga 184 që ishte në të njëjtin muaj të një viti më parë. Në nëntëmujorin e vitit 2021, numri i të aksidentuarve është 1.391 persona nga 1.164 persona në nëntëmujorin e vitit 2020. Në muajin Shtator 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 7 persona, nga 24 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në nëntëmujorin e vitit 2021, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 151 persona nga 138 persona të vdekur në të njëjtën periudhë të një viti më pare.

Për 9 mujorin 2021, në raport me të njëjtën periudhë të 2020-s janë rritur ndjeshëm aksidentet fatale për femrat (nga 26 në 36), ndërsa për meshkujt janë rritur me lehtë (nga 112 në 115).

Në muajin Shtator 2021, aksidentet rrugore, në 84,8 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 33,3 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 23,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në nëntëmujorin e vitit 2021, aksidentet rrugore, në 15,6 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Gjatë kësaj periudhe, numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit është rritur 26,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.