“Tirana Parking” e Veliajt, i jep 165 milionë lekë pa konkurrencë firmës që ofroi 98% të fondit limit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 26.10.2021, 22:01

Tenderat e dyshimtë janë shtuar shumë kohët e fundit. Jo se nuk kanë qenë më parë, por si duket me fitimin e mandatit të tretë nga e njëjta forcë politike, askush nuk ka më frikë. Ajo që vihet re është se procedurat e prokurimit të cilat kanë mungesë totale konkurrence janë shtuar në mënyrë të ndjeshme. I tillë është edhe rasti i një tenderi të organizuar nga Tirana Parking.

Ky i fundit është një institucion në varësi të Bashkisë Tiranë për administrimin e shërbimit të parkimit publik me pagesë. Në rastin konkret, ky institucion i drejtuar nga Eglantina Zere, ka organizuar tenderin me numër reference REF-05752-09-20-2021 dhe me objekt “Blerje Kasa Automatike për Pagesat në Sheshparkimet e Mbyllura”. Fondi limit i tenderit është 14,000,000 lekë të reja pa TVSH ose gati 165 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Duke hulumtuar dokumentacionin e këtij tenderi, vihet re se i vetmi pjesëmarrës është kompania “Adi Professional” në pronësi të shtetasit Adriatik Tarja. Kjo kompani ka ofruar vlerën prej 13,722,000 lekë të reja pa TVSH ose rreth 165 milionë lekë me TVSH. Natyrisht duke mos patur asnjë konkurrent tjetër përveç vetes së saj, kompania në fjalë është shpallur fituese. Por përveç mungesë së konkurrencës që cilësohet si një ndër “famujt e kuq” kryesorë të tenderave të dyshimtë, vihet re se vlera e ofruar është pothuajse identike me vlerën e fondit limit.

Më konkretisht kjo vlerë është sa 98% e këtij fondi. Të dyja këto fakte së bashku, ngjallin dyshime se fituesi mund të ketë qenë i paracaktuar. I takon autoriteteve të hetojnë nëse ka vend për të hetuar këtë procedurë prokurimi të organizuar nga Tirana Parking e cila është në varësi të Bashkisë Tiranë.

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit