EKSKLUZIVE/ Nis “avullimi” i bizneseve Call Center në Tiranë, qytetari: Shikoni si largohen me shpejtësi!

Shkruar nga: V Gashi | Publikuar më: 03.11.2021, 22:05

Call Center-at janë një nga bizneset që kanë 'lulëzuar' më së shumti në vendin tonë përgjatë viteve të fundit.

Mirëpo, duket se aktiviteti i këtyre kompanive së fundmi është vënë në pikëpyetje.

E themi këtë pasi prej gati dy ditësh 13 kompani Call Center në Shqipëri janë duke u hetuar nga autoritetet shqiptare, pasi dyshohet se kanë përfituar shuma të mëdha parash duke përdorur skemat e mashtrimit, ku 'viktima' kanë rënë shtetas të huaj nga vendet e BE-së.

Operatorët e këtyre “Call Center-ave“ kanë bindur shtetas të ndryshëm që të investojnë kapitalet e tyre në bursë me qëllim që ato të konvertohen në kriptomonedha dhe më pas të bëhen milionerë.

Një prej shtetasve të huaja të dëmtuara ishte edhe shtetasja gjermane Janet Schafer, e cila për periudhën nëntor 2020-janar 2021, ka transferuar shumën totale prej 9,700 eurosh në llogari të një kompanie Call Center në Tiranë. Mirëpo kjo vlerë nuk iu kthye asnjëherë në kriptomonedhë. Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se shumat e parave u tërhoqën përmes nje llogarie bankare në Lituani.

Këto biznese kryesisht zyrat ku kryejnë aktivitetin e tyre i kanë në hyrje pallatesh.

Ndërkohë së fundmi në redaksinë e JOQ Albania ka mbërritur një video, ku një qytetar denoncon se si një biznes i dyshuar Call Center po zhvendos pajisjet nga zyrat e saj.

Siç shihet dhe në pamjet e mëposhtme, një mori njësish kompjuterike dhe monitore janë nxjerrë jashtë ambienteve të zyrës në shkallët e pallatit.

Qytetari shprehet për JOQ Albania se pamjet janë filmuar te "Rruga e Kavajës", në pallatin Sun Tower, pranë Dhomës së Tregtisë.

Ai shkruan:

Pershendetje JOQ! Shikoni se si call center mashtruese largohen me shpejtesi. Te rruga kavajes, pallati sun tower, ngjit me dhomen e tregtise. Anonim."

Duket se dalja në dritë e skemave mashtruese ka dhënë efektin e saj, duke shkaktuar "avullim" të Call Center-ave që mund të jenë përfshirë në mashtrime të tilla.

Mbetet për t'u parë se cili proces do ta fitojë këtë garë, "zhdukja pa lënë gjurmë e bizneseve Call Center të përfshira në skema mashtrimi", apo "operacionet policore që po hetojnë këto skema mashtruese".

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit