Kupa e Afrikës ka hyrë në fazën më interesante, pasi ka filluar eliminimi direkt i ekipeve. Mbrëmjen e sotme është luajtur sfida Kamerun-Komoros e vlefshme për raundin e 1/8-ave dhe ka përfunduar me rezultatin 2-1 për Kamerunin. Një episod që mori vëmendjen maksimale ishte situata e pazakontë te ekipi i Komoros.
Skuadra afrikane nuk kishte portier në ndeshjen e sotme, pasi dy portierët kryesorë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, ndërsa i treti ishte i dëmtuar. Kështu Komoros ka luajtur me mbrojtësin, Chaker Alhadhur si portier në ndeshjen e sotme. Pozicioni natyral i Alhadhur në fushë është mbrojtës i majtë, por sot ka sakrifikuar për kombin e tij dhe luajti portier. Paraqitja ishte deri diku e kënaqeshme, pasi pësoi vetëm 2 gola.
Kujtojmë që Komoros u mundua të shtynte ndeshjen me vetëm disa ditë, por “CAF” nuk e pranoi këtë, kështu që sfida u luajt sot ashtu siç ishte parashikuar dhe Kameruni është kualifikuar në çerekfinalen e Kupës së Afrikës.