NASA: Shpërthimi në Tonga ishte më i fuqishëm sesa bomba atomike!

Shkruar nga: N Hoxha | Publikuar më: 25.01.2022, 01:35

Energjia e çliruar nga shpërthimi vullkanik nënujor i Tongas ishte 500 herë më i fuqishëm se bomba atomike e hedhur në Hiroshima të Japonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore, sipas NASA-s. Vullkani i quajtur Hunga-Tonga-Hunga-Ha'apai ndodhi më 15 janar në Oqeanin Paqësor dhe pasojat e tij po ndihen në të gjithë globin. Tonga ka thënë që më shumë se katër të pestat e popullsisë janë prekur nga cunami dhe hiri vullkanik, ndërsa tre persona janë shpallur të vdekur si pasojë e cunamit.

Në një intervistë me NPR, shkencëtari kryesor në Qendrën e Fluturimeve Hapësinore Goddard të NASA-s, James Garvin tha: "Ne kemi përllogaritur një numër që është rreth 10 megaton ekuivalent TNT". Për krahasim, bomba që u hodh në Hiroshima në vitin 1945 ishte 15 kiloton ose 15,000 ton TNT.

Përveç kësaj, Michael Poland i Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së zbuloi se zhurma e shpërthimit nga vullkani arriti deri në Alaskë duke e bërë atë shpërthimin më të fortë në gati një shekull. "Ky mund të jetë shpërthimi më i zhurmshëm që nga Krakatau (vullkan indonezian) në vitin 1883"- tha ai për NPR. Më herët, Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) kishte zbuluar se vullkani kishte nxjerrë hi, gaz dhe avull deri në 30 kilometra në atmosferë. Imazhet aktuale tregojnë gjithashtu se shpërthimi, shkatërroi ishullin vullkanik.

Burimi: republicworld.com | Përktheu dhe Përshtati: JOQ Albania

Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit