5 të tjerë ofruan më pak, Arditi i Postës shpërdoron 600 milionë

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 03.01.2024, 22:00

Ardit Demiri vazhdon thuajse përditë të na çudisë me bëmat e tij “tenderistike”. Tenderat e dhëna nga ky drejtor i ri i Postës Shqiptare janë në të njëjtat nivele shpërdorimi e vjedhjeje si paraardhësit e tij.

Madje shpërdorimet e parave të Postës Shqipatre realizohen fare hapur nga Ardit Demiri, si duket pasi është i sigurt se nuk do t’i hyjë asnjë gjemb në këmbë. Në rastin që do shikoni sot, Ardit Demiri ka skualifikuar 5 firma të cilat dhanë ofertë më të ulët vetëm e vetëm që të shpallte fituese firmën që me shumë gjasa ka rënë dakort për të bërë “shkëmbim valixhesh” plot me para.

E kemi fjalën për procedurën me numër reference REF-86763-11-08-2023 dhe me objekt “Rikonstruksion Zyra Postare qendër Tirana 5, Zyra Postare qendër Durrës”. Fondi limit i tenderit është në vlerën 58,439,437 lekë të reja pa TVSH ose rreth 700 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Nëse shfletojmë “letrat” e tenderit, shikojmë se në total kanë marrë pjesë 7 kompani, nga të cilat 5 kanë ofruar shifra më të ulëta sesa firma që Ardit Demiri ka shpallur fituese. Bëhet fjalë për kompaninë LLAZO në pronësi të Anea Llazi dhe Aldi Llazi, e cila ka fituar për vlerën 50,476,421 lekë të reja pa TVSH ose gati 600 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Kjo shifër ndërkohë rezulton të jetë sa 86% e fondit limit, duke rritur akoma më shumë dyshimet se kemi të bëjmë me një fitues të paracaktuar. Si gjithmonë ndërkohë SPAK nuk merr asnjë veprim ndaj tenderave të panumërt të dhëna në mënyrë të dyshimtë nga Ardit Demiri.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit