“Plasi në Kuçovë”, tender abuziv me riparimin e Urgjencës

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 08.01.2024, 22:22

Shëndetësia për fat të keq jo vetëm që nuk është falas në realitet ashtu siç thotë qeveria, por përveç rrjepjes së pacientëve, vjedh dyfish edhe nëpërmjet tenderave që bëhen në emër të tyre. I tillë është edhe rasti që do të shikoni sot ku dalin në pah abuzimet që bëhen në Kuçovë me një tender për mirëmbajtje dhe riparim të shërbimit të Urgjencës.

Bëhet fjalë për procedurën me numër reference REF-88220-11-20-2023 dhe me fond limit 8,120,784 lekë të reja pa TVSH ose rreth 100 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH. Objekti i tij është “Riparime dhe Mirëmbajtje e Ambjenteve për Shërbimin e URGJENCES”.

Nëse shikojmë dokumentat e këtij tenderi vihet re se pjesë e tij kanë qenë vetëm tre kompani. Pra konkurrenca ka qenë shumë e kufizuar duke mos patur shumë mundësi zgjedhje. Por përtej kësaj, shikohet që fituese nuk është zgjedhur firma që ka ofruar më pak, përkundrazi.

Institucioni ka shpallur fituese kompaninë FLED për ofertën 7,799,239 lekë të reja pa TVSH ose gati 94 milionë lekë të vjetra me TVSH. Por ndërkohë një tjetër firmë pjesëmarrëse ka ofruar gati 13 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH, më pak se fituesi.

Një shifër e tillë nuk është aspak mospërfillëse kur vjen fjala tek riparimet dhe mirëmbajtja. Megjithatë siç ndodh shpesh në tenderat në Shqipëri, është e sigurt që askujt nuk do t’i hyjë gjemb në këmbë nga këto abuzime dhe ata që do të vidhen do të jenë përsëri pacientët për shërbimet dhe riparimet e munguara. Për ta mbyllur, shifra fituese është sa 96% e fondit limit, duke shtuar Akoma më shumë dyshimet se fituesi ka qenë i ditur që para nisjes së procedurës.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit