Ligji i Basteve të Ramës/ Fillon aktivizimi i elementëve kriminalë nëpër lagje

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 13.02.2024, 21:04

Diskutimi për projektligjin e basteve online i shtuar së fundmi nëpër kanale mediatike të sponsorizuara nga Rilindja, ka filluar të aktivizojë elementët kriminalë nëpër lagjet e Shqipërisë. Individë me të shkuar të dyshimtë kanë filluar të investojnë që tani në hapjen e lokaleve për t’i përshtatur në salla bastesh.

Projektligji i cili po lobohet së tepërmi së fundmi, nëse do të miratohet, parashikohet të sjellë shkatërrimin e familjeve shqiptare. Ndonëse Rilindja përpiqet ta paraqesë situatën si të ndryshme nga ajo e viteve më parë ku lojtarët mblidheshin nëpër kafene bastesh dhe vendosnin bastin me para në dorë, në thelb do të jetë përsëri e njëjta gjë.

I vetmi ndryshim është se pagesa nuk do të jetë kesh por nëpërmjet llogarisë bankare të lojtarit. Pra në thelb pikat e dikurshme të basteve nëpër lagje do të hapen dhe janë duke u rihapur përsëri, thjesht do të kenë një program të ndryshëm në kompjuter, ku lojtarët do të vënë bastet e tyre.

Këtë e dëshmon edhe aktivizimi i elementëve kriminalë nëpër lagjet e Shqipërisë në hapjen e lokaleve të tilla, në pritje të miratimit të projektligjit. Rikthimi i basteve do të shkaktojë një “sëmundje” në familjet shqiptare pasi shumë shqiptarë të pashpresë do të drejtohen drejt këtyre pikave të rihapura me shpresën se ndoshta do të fitojnë por në fakt i vetmi fitues është organizatori.

Lojtari nuk do të fitojë asgjë, përkundrazi, do të humbë, jo vetëm paratë por edhe qetësinë familjare. Studime të shumta dhe statistikat kanë vërtetuar se bastet në Shqipëri kanë patur pasoja të tmerrshme në familjet shqiptare. Ndër pasojat më kryesore kanë qenë rritja e numrit të vrasjeve, vjedhjeve, sherreve, borxheve, divorceve etj të cilat kanë shkatërruar qindra familje. Pra pasojat jo vetëm nuk do të jenë individuale por edhe sociale.

Plagët e rënda sociale që ishin krijuar në Shqipëri prej pikave të basteve filluan të shuheshin pas vendimit të Ramës para disa vitesh për t’i mbyllur. Por në mënyrë të pakuptimtë, po lobohet përsëri që të rikthehen. Ndërkohë është i pakuptimtë edhe mos reagimi i opozitës në lidhje me këtë çështje të mprehtë sociale që synon të shkatërrojë akoma më shumë familjen shqiptare.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit