“Plas mishi sheshit” në Librazhd, fituesi i tenderit ofron sa 100% e fondit limit

Shkruar nga: M Gjini | Publikuar më: 19.02.2024, 16:52

Çdo ditë e më tepër vazhdojnë të organizohen tendera të dyshimtë me paratë e popullit. Vjedhjet janë të panumërta dhe nga të gjitha fushat. Por kur shikon se vjedhjet bëhen edhe tek ushqimet, të vjen për të vënë duart në kokë e për të ikur me vrap sikur të ndjek ndonjë ari i murrmë.

Në rastin konkret është Bashkia e Librazhdit ajo që ka organizuar një tender tepër të dyshimtë pa e vrarë mendjen fare se po vidhen paratë e popullit të gjorë të Librazhdit. Tenderi në fjalë ka si numër reference REF-93770-01-25-2024 dhe objekti i tij është “Furnizim me mish për vitin 2024”. Fondi limit është caktuar në vlerën 3,105,000 lekë të reja pa TVSH ose gati 37 milionë lekë të vjetra përfshirë TVSH.

Por le të shfletojmë dokumentacionin përkatës të kësaj procedure prokurimi. Këtu duket qartë abuzimi i madh që është kryer me blerjen e mishit. Rezulton se në tender ka marrë pjesë vetëm një subjekt i cili ka ofruar të njëjtën vlerë identike sa fondi limit i tenderit. Bëhet fjalë për personin fizik Irdi Gega i cili ka fituar me vlerën e ofruar prej 3,024,000 lekë të reja pa TVSH ose gati 37 milionë lekë të vjetra me TVSH.

Mjafton një krahasim i thjeshtë shifrash për të vënë re se kjo ofertë është thuajse sa 100% e fondit limit. Ndërkohë nëse i hedhim një sy objektit të veprimtarisë së personit fitues, vihet re se Irdi Gega ofron shërbime të ndryshme që nga ushqimi, farmacia e deri te shërbimet funerale. Nuk do qe çudi të jetë fitues edhe në tendera të tjerë të organizuar nga Bashkia Librazhd dhe kryetari i saj Mariglen Disha.

FACT CHECK: Synimi i JOQ Albania është t’i paraqesë lajmet në mënyrë të saktë dhe të drejtë. Nëse ju shikoni diçka që nuk shkon, jeni të lutur të na e raportoni këtu.
Më të Lexuarat
Shkarkoni aplikacionin JOQ ALBANIA në platformat
Më të fundit